Artan MergjyshiNga Gjergj Vyshka


Te verdhezinjtë, edhe pse janë lakuar emrat e Poçit dhe Bubeqit, sdo të ketë lëvizje në bankinë


Presidenti i kavajasve ka vendosur që të vazhdojë bashkëpunimin që kishte firmosur për 2 vjet


Artan Mërgjyshi do të vazhdojë të jetë trajneri i Besës dhe në Kategorinë e Parë. Kështu ka vendosur presidenti i verdhezinjve, Nexhat Bizhdili, i cili përpara se skuadra të binte nga Kategoria Superiore e kishte firmosur me trajnerin kryeqytetas një kontratë dyvjeçare. Dhe për rrjedhojë tiranasi do të jetë edhe për këtë sezon në krye të kavajasve tashmë me një qëllim tjetër, që është kthimi sa më i shpejtë i Besës në të Parën.


Në fakt, ditë më parë, pas konfirmimit të Bizhdilit president dhe vazhdimit të tij të projektit për të financuar futbollin kavajas, ishin lakuar të tjerë emra për të qenë zëvendës të Mërgjyshit. I pari ishte kapiteni i verdhezinjve, Artion Poçi, i cili ka vendosur që ti thotë boll futbollit të luajtur. Kurse i dyti ndihmësi i Mërgjyshit, Dorjan Bubeqi. Mirëpo dhe në kategorinë e Parë duhen trajner me UEFA Pro, nisur dhe nga vendimi më i fundit i Komitetit Ekzekutiv.


Që do të thotë se Mërgjyshi edhe duke e pasur këtë licencë i plotëson kushtet për të vazhduar në bankinën kavajase, aq më shumë që ka dhe një vit kontratë me kavajasit. Dhe me konfirmimin e Mërgjyshit tashmë duhet të nisë dhe ndërtimi i Besës së re. Pavarësisht se një pjesë e titullarëve, të cilët përfunduan sezonin me Besën në Superiore, tashmë kanë ikur dhe kanë nisur të firmosin me skuadrat e Kategorisë Superiore. Të tillë si Fatjon Sefa te Skënderbeu, Ibrahim Bejte te Vllaznia, Arbnor Fejzullahu dhe Idriz Batha te Partizani.


E po ashtu dhe futbollistë të tjerë kanë vendosur që të largohen. Një plan është dhe me të rinjtë e Akademisë. Por tashmë Bizhdili që ka vendosur Mërgjyshin trajner, duke vlerësuar dhe punën e tij, duket se do të mendojë seriozisht për tu ngjitur sa më shpejt në Kategorinë Superiore. Nuk do ta ketë të lehtë, aq më shumë që është në Grupin e Veriut përballë Kastriotit, Tërbunit, Burrelit, Ilirisë, Mamurrasit, Besëlidhjes, Adës, Veleçikut dhe Kamzës. E megjithatë, edhe pse Besa nuk arriti të qëndronte në Superiore për shumë arsye, kjo nuk ndalon drejtuesit e ekipit kavajas të kërkojnë qëndrimin e Artan Mërgjyshit në stol edhe në Kategorinë e Parë.


Presidenti Bizhdili ka vlerësuar punën e timonierit të skuadrës, madje nuk e ka akuzuar asnjëherë si fajtor për rënien një kategori më poshtë. Ndaj pritet të Mërgjyshi të qëndrojë duke respektuar kontratën dyvjeçare me Besën. Sepse vetëm kështu mund të kenë verdhezinjtë, edhe për hir të tifozëve, një projekt serioz për tu ngjitur në Superiore. Tashmë pritet që të ketë lëvizje dhe në tregun e futbollistëve, ndërsa Besa bëhet e para skuadër në Kategorinë e Parë, e cila konfirmon trajnerin dhe vendos që të nisë punën e saj për ndërtimin e planeve të reja. Të tjetër vijojnë të jenë në vendnumëro.


The post Bizhdili rikonfirmon Mërgjyshin, skuadra e re nis me kryeqytetasin appeared first on Sporti Shqiptar Online.