Komuniteti i biznesit është habitur kur pa se në Kuvend po miratohej ndryshimi i projektligjit "Për procedurat tatimore". Rreth dy javë më parë, Ministria e Financave kishte kaluar për mendim në Këshillin Konsultativ të Biznesit katër projektligje, "Akcizat", "TVSH", "Tatimi mbi të Ardhurat", si dhe "Lojërat e Fatit", kurse "procedurat tatimore", ligji kryesor fiskal në vend u shmang nga diskutimet, duke kaluar direkt për votim në Kuvend. Pikërisht kjo sjellje aspak transparente solli reagimin e bizneseve, që janë anëtare të Këshillit Konsultativ, organizëm që varet nga Ministria e Ekonomisë. Nga Ministria e Financave nuk jepet asnjë reagim, kurse bizneset e kategorive të ndryshme shprehen të shqetësuar për mungesën e komunikimit me qeverinë. Shtresa e ndërtuesve është njohur me projektligjin përmes mediave, po ashtu edhe industria e tekstileve. Të dy këta sektorë kanë të punësuar mbi 300 mijë vetë dhe ndryshimi papritur i ligjit mund t‘i rrezikojë situatën ekonomiko-financiare.

Projektligji

Aq shumë i diskutuar dhe i ndryshuar disa herë brenda dy viteve nga hartimi i tij, "Procedurat tatimore" konsiderohet Kushtetuta e taksave në vend, pasi mbart rreth 130 nene dhe përcakton formën e taksimit, deklarimit, rolin e tatimorit, biznesit, si dhe më kryesore ka të parashikuara të gjitha format e gjobave. Ndryshimet në projektligj të miratuara një javë më parë parashikojnë procedura të rëndësishme për aktivitetin e biznesin. Duke marrë shkas nga situata jo e mirë e vendosjes së kasave fiskale, me ligjin e ri qeveria vendosa gjoba të rënda. Po ashtu në projektligj është roli i strukturës së hetimit tatimor, si dhe është shtuar një pikë rreth procedurës që duhet të ndjekë tatimori për rastet kur dyshon se biznesi punon me dy bilance.

Ankesat

Dy ditë më parë, tre organizmat e biznesit, Dhoma e Tregtisë, Shoqata e Ndërtuesve dhe Fasonët lidhën një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Përveç Dhomës së Tregtisë, e cila vazhdon të thotë se "bashkëpunimi i qeverisë është në nivele të kënaqshme", të tjerët ankohen se klima nuk duket aspak pozitive. Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve, e cila mban një pjesë të popullsisë në punë, kryesisht e varfra, deklaron se kalimi i ligjeve pa u konsultuar më parë, i vë përpara një rreziku të madh. Përfaqësues së saj thonë për gazetën "Shqip" se do t‘i nisin këto ditë një letër ministrit të Financave, ku do t‘i kërkohen shpjegime rreth faktit se pse ligji për "procedurat tatimore" nuk kaloi për diskutim në mbledhjen e Këshillit Konsultativ, por jo vetëm kaq. Ata ndiejnë se nga qeveria nuk po marrin ndihmën e duhur. Në të njëjtën linjë janë edhe ndërtuesit, madje në disa raste më radikalë. Sipas tyre, prej dy vitesh nuk ka asnjë linjë komunikimi për vetëm vendime në dëm të tyre. Ata kanë vendosur një afat, që është 15 janari për t‘i dhënë zgjidhje disa problemeve, në të kundërt do të marrin masa greve. Edhe komunitetet e tjera janë kundër qëndrimit të qeverisë. Ajo që i shqetëson më tepër është shtesa e një neni në ligjin "Për procedurat tatimore" sipas të cilës, "tatimori ka të drejtë të sekuestrojë të gjithë materialin, data-basen në kompjuter dhe gjithçka që mban zyra në formë dokumenti".