Në kushtet kur ka ulje të ndjeshme të aktivitetit ekonomik, bizneset e cilësojnë si masë mbytëse rritjen e nivelit të pagës minimale





Arsyeja kryesore që i bën biznesmenë të ndryshëm të investojnë në Shqipëri, është krahu i lirë i punës





TIRANË- Komuniteti i biznesit kundërshton ashpër vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e nivelit të pagës minimale. Duke e cilësuar vendimin si diskriminues, ata shprehen se ka një mospërputhje midis ligjit mbi pagat referuese edhe hapit më të fundit të hedhur nga qeveria dhe se, kjo e fundit, e ka rritur në mënyrë të vazhdueshme këtë nivel brenda një periudhe kohore shumë të shkurtër.





Sipas tyre, ligji mbi pagat referuese sanksionon masën 17 mijë lekë si nivelin minimal të pagës në sektorin privat, ndërsa qeveria vendos për një nivel minimal 18 mijë lekë.





Bizneset gjithashtu, shprehen se, vendimi është marrë pa u konsultuar më parë me grupet e interesit. I kontaktuar nga "Shekulli", Kryetari i Dhomës Kombëtare të Veshjeve, Edmond Rusmalji, shprehet se është e treta herë brenda një periudhe prej një viti e gjysmë që qeveria rrit nivelin minimal të pagave për punonjësit e sektorit privat.





Nga 14 mijë lekë, niveli i pagës minimale u rrit në 16 mijë, më pas në 17 mijë lekë, për të arritur në vendimin më të fundit, ku asnjë punëdhënësi nuk i lejohet që t'i paguajë punonjësit e tij më pak se 18 mijë lekë në muaj.





Ndryshimi i vazhdueshëm i rregullave të lojës nga qeveria, shkakton humbje të konsiderueshme, kryesisht tek bizneset e këpucë-tekstileve, ku, sipas tyre, arsyeja e vetme që i bën të vijnë të investojnë në Shqipëri është krahu i lirë i punës. Madje, ata pretendojnë se, rritja e herëpashershme e nivelit minimal të pagave të punonjësve nuk i lejon që të bëjnë një plan biznesi, për shkak të luhatjes që pëson norma e fitimit nga ndryshimet.



"Zakonisht, kontratat e lidhura me blerësit tanë lidhen një herë në vit dhe ne parashikojmë ecurinë që do të kemi gjatë kësaj periudhe, ndërkohë, ndryshimi i vazhdueshëm i nivelit të pagave na rrit koston e prodhimit.





Këtë kosto nuk mund ta pasqyrojmë më tek blerësi, pasi e kemi lidhur më parë kontratën mbi bazën e disa kushteve të caktuara dhe e gjithë fatura e këtyre rritjeve paguhet nëpërmjet minimizimit të fitimeve", - u shpreh Rusmalji.





Të dhënat nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve pasqyrojnë një situatë tepër të pafavorshme për këto biznese. Madje, rezulton se, që nga janari i vitit 2009, të mos jetë lidhur asnjë kontratë midis blerësve të huaj dhe shoqërive që operojnë në tregun e këpucë-tekstileve në vend.





Vazhdimisht, përfaqësues të bizneseve të ndryshme në vend, i kanë kërkuar qeverisë krijimin e disa lehtësirave në pagimin e kontributeve shoqërore për punonjësit e tyre, si pasojë e vështirësive të hasura në gjetjen e tregjeve.





Rritja e nivelit të pagës minimale, nga ekspertë të ekonomisë është komentuar si një lëvizje e qeverisë për të minimizuar efektet e kostos prej 4 miliardë lekësh që pritet të shkaktojë ulja e detyrimeve për kontributet shoqërore që duhet të paguajnë punëdhënësit për çdo punonjës.







"Ndryshimi i vazhdueshëm i rregullave të lojës nga qeveria, shkakton humbje të konsidrueshme kryesisht tek bizneset e këpuce-tekstileve, ku sipas tyre, arsyeja e e vetmë që i bën të vijnë e të investojnë në shqiupëri është krahu i lirë i punës"