Vendi ku u mor peng biznesmeni pranë pikës së basteve


Një biznesmen i mesëm u mor peng dje për rreth 90 minuta nga tre persona në Tiranë.Saimir Shenjari, 33 vjeç, nga Burreli, pronar i një pike bastesh Ip-Bet dhe një furre buke, ka qenë pranë dyqanit të tij në afërsi të Profarmës kur është marrë me forcë nga tre persona dhe është futur në një makinë nën kërcënimin e armës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:50 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa e gjithë pengmarrja ka zgjatur rreth 90 minuta. Mbrëmë policia tha se biznesmeni i ka pasur një shumë parash borxh njërit prej autorëve të ngjarjes. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, shuma e borxhit besohet se është rreth 15 mijë euro. Me personin që i kishte dhënë këtë shumë  mësohet se biznesmeni 33-vjeçar ka debatuar dje për të paktën 30 minuta. Biseda është zhvilluar në afërsi të dyqanit të 33-vjeçarit te Profarma. Pasi nuk kanë gjetur marrëveshje, biznesmeni dhe personi që kishte dhënë paratë kanë kërkuar të bëjnë një kontratë në të cilën Saimir Shenjari të njihte borxhin dhe të përcaktohej edhe koha e kthimit të shumës. Zyrtarët e Policisë nuk dhanë detaje mbrëmë, por mësohet se biznesmeni kishte ofruar një banesë në këmbim të detyrimit të borxhit. Zyrtarë të Policisë së Tiranës thanë mbrëmë për gazetën Panorama se tre personat, autorë të pengmarrjes, janë identifikuar plotësisht dhe janë shpallur në kërkim.

Pengmarrja

Një i afërm i 33-vjeçarit nga Burreli Saimir Shenjari, njoftoi policinë dje rreth orës 19:00 se tregtari ishte futur me forcë në një makinë me targa italiane. Sipas denoncimit të bërë në polici, persona të armatosur e kishin marrë peng biznesmenin pas debateve që ai ka pasur me një person pranë dyqanit. Policia e Tiranës është vënë menjëherë në lëvizje për garantimin e jetës së 33-vjeçarit. Një numër i madh forcash të rendit janë angazhuar në terren duke përfshirë efektivat e komisariateve të policisë 2, 3 dhe 4 në kryeqytet. Po kështu, veç ndjekjes me mjete tokësore, policia ka vënë në përdorim edhe një helikopter për mbajtjen në kontroll të lëvizjeve të autorëve të ngjarjes. Gjatë këtij aksioni, policia tha se merrte informacione që tregonin se i rrëmbyeri mbahej në një automjet fuoristradë me targa të huaja, që shoqërohej edhe nga një mjet tjetër. Sipas policisë, makinat ishin parë të lëviznin në drejtim të Dajtit. Atje është përqendruar edhe ndjekja e policisë.

Negociatat

Ndërkohë që ndjekja e pengmarrësve vazhdonte, policia ka identifikuar njërin nga personat që ndodhej në makinat që po transportonin biznesmenin e rrëmbyer. Forcat e rendit kanë hyrë në komunikim telefonik me shtetasin Arjan D., duke u përpjekur të negociojnë me këtë person. Pas 90 minutash ka qenë pikërisht ky shtetas që ka vënë në dijeni policinë se biznesmeni i rrëmbyer ishte lënë i lirë në zonën e Kinostudios në Tiranë. Ka qenë pikërisht biznesmeni 33-vjeçar që është paraqitur në polici dhe madje ka pranuar se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një borxhi të vjetër që ai i kishte njërit prej pengmarrësve. Policia e Tiranës ka arritur mbrëmë të identifikojë plotësisht tre autorët e ngjarjes që janë shpallur në kërkim, ndërsa kanë nisur veprimet operacionale për arrestimin e tyre.


3 persona

janë shpallur në kërkim me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj biznesmenit nga Burreli. Emrat e tyre nuk bëhen publik për shkak të hetimit.


15 mijë euro

ka qenë shuma e detyrimit financiar që kishte biznesmeni Saimir Shenjari. Në këtë shumë ai i detyrohej njërit prej autorëve të pengmarrjes së djeshme.


 


TRAZHGIM SOKOLAJ