17/03/2009  Aktori merr pjesë në “Get Low” përkrah Sissy Spacek, Robert Duvall, Bill Murray etj.


Aktori shqiptar Blerim Destani ka siguruar rolin e parë të rëndësishëm në Hollivud. Ai ka qenë disa ditë më parë në Atlanta për të xhiruar skena të filmit “Get Low” përkrah aktorëve të njohur Sissy Spacek, Bill Murray, Lucas Black dhe Robert Duvall. “Get Low” është një film i bazuar në historinë e vërtetë të Felix Breazeale, i cili planifikoi funeralin e tij ndërkohë që ishte ende gjallë.


Ka filluar të përflitet që tani se filmi me një trupë të tillë aktorësh mund të jetë një nga pretendentët për çmimin “Oskar” vitin e ardhshëm. Pa dyshim shpresat për këtë i shton edhe regjisori i filmit Aron Shnejder, i cili tashmë e ka një “Oskar” nën sqetull. Destani do të interpretojë në film rolin e Gary-t (Gerit), i cili megjithëse një rol jo kryesor është tepër i mirë për të nisur karrierën në Hollivud. Blerim Destani, i njohur për publikun shqiptar me filmin “Koha e kometës” të regjisorit Fatmir Koçi, ka përfunduar gjithashtu xhirimet e filmit “The Truth About Men”, ku interpreton krah aktores Rhona Mitra.