Administrata Tatimore do të verifikojë të gjitha transaksionet bankare të shoqërisë IRTC, e cila shfrytëzoi për më shumë se një vit rafinerinë e naftës në Ballsh duke krijuar mbi 50 milionë euro borxhe ndaj tatimeve.


Top Channel ka mësuar se në datën 5 dhjetor, Tatimet e Tiranës kanë kërkuar nga bankat tregtare informacion mbi çdo transaksion të kryer nga IRTC për të verifikuar nëse kompania ka transferuar para në llogari të tjera brenda apo jashtë vendit.


Burime nga administrata tatimore thonë se që në fillim të dhjetorit, subjektit IRTC me administrator shtetasin Mitat Sulaj i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare, dhe ndaj aseteve të saj është vendosur barrë siguruese dhe hipotekore.


Tatimet nuk zbulojnë se cila është vlera monetare e bllokuar dhe ajo e aseteve mbi të cilat është vendosur barra siguruese. Por burime nga administrata thonë se, pas kalimit të afatit një mujor nga urdhri për vendosjen e barrës siguruese, të gjitha asetet do të sekuestrohen siç sanksionohen në ligjin për procedurat tatimore.


IRTC mori në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s në shtator të vitit 2016 sipas një marrëveshje me kreditorët privatë, por edhe bekimin e qeverisë, e cila e quajti marrëveshjen një sukses.


Sipas të dhënave nga doganat, vetëm në vitin 2017 kompania ka prodhuar dhe shitur në tregun vendas 156 mijë tonë karburant. Por edhe pse ka arkëtuar mbi 220 milionë euro nga shitja e naftës, ka krijuar mbi 50 milionë euro borxhe ndaj administratës tatimore, për taksa të papaguara kryesisht TVSH dhe taksë qarkullimi.


Kjo nuk është hera e parë që ARMO lejohet të punojë pa paguar taksa duke shkaktuar dëme të mëdha në buxhet.


Edhe në vitin 2009 kur u privatizua nga Rezart Taçi dhe më vonë 2014-ën kur u mor në shfrytëzim nga një kompani azere ARMO është lejuar të shmangë qindra milionë euro detyrime tatimore, të cilat nuk u rikuperuan asnjëherë, por qëndrojnë si borxhe ose janë falur përmes amnistive.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)