Gazeta Shqiptare denoncoi dje bllokimin e shpërndarjes së saj në tregun e kryeqytetit. Sipas kryeredaktores Anila Basha të gjitha kopjet e gazetës të parashikuara për t’u hedhur në Tiranë janë blerë në pikën qendrore të shpërndarjes. Kjo gazetë në numrin e saj të fundit i kushtoi një vëmendje të madhe përgjimeve të prokurorisë lidhur me shpërthimin tragjik të Gërdecit. Rreth mesditës, gazeta e ribotoi sërish numrin e fundit duke e hedhur në tregun e kryeqytetit. Opozita ka reaguar ashpër pas këtij akti, duke theksuar se Kryeministri Berisha tani është në panik pas publikimit të skandaleve të familjes së tij. “Dita e djeshme është ngrysur me një incident të qeverisë së Shqipërisë me komunitetin ndërkombëtar. Dita e sotme është gdhirë me një incident të qeverisë së Shqipërisë me shtypin e lirë. Këto janë shenja kuptimplota të panikut që ka kapur Sali Berishën, i cili për të mbrojtur qeverinë e interesave familjare, po shkel përditë e më shumë në dërrasë të kalbur”, tha dje kreu i PS-së Edi Rama. Ndërsa G99, tani pjesë e koalicionit të majtë, e konsideroi bllokimin e Gazetës si një sinjal për humbjen e Berishës në zgjedhje. “Berisha dha sot sinjalin se do të humbë zgjedhjet dhe për këtë arsye është i frikësuar. Berisha ndodhet në panik për humbjen e tij. Faleminderit Gazeta Shqiptare për kontributin për të thënë gjërat ashtu siç janë”, tha kreu i G99, Erjon Veliaj. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka e cilësoi skandalin një fatkeqësi dhe një imazh negativ për vendin tonë, përpara syve të ndërkombëtarëve. Duke inkurajuar Gazetën Shqiptare e Neës24, Ndoka tha se tashmë historia e Gërdecit është e qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në të njëjtën kohë bllokimi i gazetës u denoncua edhe nga PSD-ja e Gjinushit, PDS-ja e Milos dhe LZHK-ja e Dashamir Shehit. Por i menjëhershëm ishte reagimi i PD-së, e cila përmes zëdhënëses Erla Mëhilli theksoi se “në të vërtetë bëhet fjalë për një skenar të thurur dobët, që synon të përmirësojë reputacionin e një medie. Gazeta në fjalë nuk është bllokuar për shkak të informacioneve që ajo dispononte, por vetëm për shkak të pazareve të menaxherëve të saj. E vërteta është se gazeta ka funksionuar normalisht në tregun e abonimeve, të cilat nuk varen prej menaxherëve të kësaj gazete, e vërteta është se të gjithë abonuesit, si dhe rrethet, kanë pasur mundësinë që të kenë të plotë numrin e kësaj gazete”.