• Pas 16 vjetësh nga zbatimi i tij, Kuvendi “varros” ligjin 7501 “Për tokën bujqësore”.BLEDAR HOTI Nisma e republikanëve ka gjetur vetëm mbështetjen e maxhorancës, pasi opozita ka shprehur votën kundër për rrëzimin e ligjit 7501, pasi nuk i cilëson të drejta arsyet për ndryshimin e këtij ligji. Pretendimi i republikanëve dhe i mbështetur nga PD-ja, është se lënia në fuqi e këtij ligji krijon mundësinë e abuzimit të mëtejshëm të tokës bujqësore nga strukturat e ndryshme shtetërore, veçanërisht nga komunat dhe komisionet e ndarjes së tokave. Edhe pse nga të dyja kampet pranuan se me këtë ligj të kontestuar nga ish-pronarët, ka pasur abuzime të mëdha në ndarjen e tokës, shfuqizimi i këtij ligji nuk u realizua për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të deputetëve në seancë. Në momentin e prezencës rezultoi se të pranishëm ishin vetëm 64 deputetë. Kjo bëri që votimi për shfuqizimin e ligjit 7501 të realizohet për të hënën e ardhshme, duke lënë pa votuar edhe ndryshimet për ligjin “Kthimin e kompensimit të pronave”. Amendamenti për shfuqizimin e ligjit “Për tokën” ka afro një muaj që është paraqitur në Kuvend, por shtyrjet e njëpasnjëshme nisur nga mungesa e kuorimit të deputetëve bëri që të mbesë pezull.DebatiNjë ndër problemet që socialistët ngritën ishte fati i atyre personave që kanë marrë tokë nga ligji 7501, të cilët nuk e disponojnë ende certifikatën e pronësisë. “A e njohim ne procesin e ndarjes së tokës me ligjin 7501. Është problemi i pronësisë së këtyre tokave, pasi pas ndarjes së tyre një pjesë e mirë e njerëzve kanë mbetur pa marrë certifikatën e pronësisë. Çfarëdo të bëhet kur ligji të abrogohet, do t’i njihet pronësia e tyre, apo jo?”, deklaroi Braçe. Sipas nënkryetarit të grupit të PS-së,  janë me dhjetëra e qindra familje që kanë probleme me marrjen e pronësisë për shkak të mos marrjes së certifikatës së pronësisë nga burokracitë e shumta. Kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, u shpreh se “çështja e pronësisë s’ka lidhje me ligjin 7501, por me ligjin për regjistrimin e pasurive”. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke iu kundërpërgjigjur Braçes, hodhi poshtë pretendimin se prona e dhënë me ligjin në fjalë nuk do të njihet më. “Të gjithë shqiptarët që e kanë përfituar tokën nga ligji 7501, e kanë gëzuar dhe do ta gëzojnë atë. Ky është një kapitull i mbyllur”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Patozi. Debati tjetër është zhvilluar në lidhje me abuzimet për pronat, veçanërisht për tokën bujqësore. Socialistja Rajmonda Stefa deklaroi se nuk ishte dakord për shfuqizimin e ligjit 7501, por kërkoi që këtë veprim Kuvendi ta merrte për ligjin 8312 “Për administrimin e tokave nga komunat dhe bashkitë”. “Jam kundër, pasi kjo nuk do të shmangë abuzimet. Të bëhet axhornimi i tokës së ndarë në shkallë republike, se sa tokë reale është ndarë dhe më pas mund të shfuqizojmë tokën bujqësore”, tha Stefa. Ndërsa deputeti i PD-së, Dashnor Sula, deklaroi se “kjo nismë është me qëllimin e mirë që të mos bëhen abuzime me ndarjen e tokës bujqësore”. “Ne synojmë të frenojmë abuzimet me pronën për këtë pak pronë e ndarë që ka mbetur. Besojmë se ligji e ka kryer funksionimin e tij, pasi 97 për qind e pronës është shpërndarë. Natyrisht abuzime ka pasur, por kjo ka ardhur nga ana e komisionit të tokës që gjenden në komuna”, theksoi Madhi. Por Braçe theksoi se, “përgjegjës për ndarjen e tokës bujqësore është qeveria dhe jo komunat dhe bashkitë, të cilat kontrollohet nga qarqet dhe ku në shumicë është PD-ja”. Braçe theksoi se këtu në seancë duhet të ishin përfaqësuesit e qeverisë, pasi nuk ka kuptim që të mos jetë e pranishme qeveria. “Mungesa e qeverisë në seancë dhe mosparaqitja e nismës nga Ekzekutivi, por nga partitë sjell hije dyshimi për mënyrën e ndarjes së tokës bujqësore”, theksoi Braçe.Braçe: A do njihet procesi i tokës?!Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Braçe, shprehu shqetësimin për ata pronarë që kanë përfituar tokën bujqësore, por që nuk kanë marrë ende certifikatën e pronësisë. A e njohim ne procesin e ndarjes së tokës me ligjin 7501. Është problemi i pronësisë së këtyre tokave, pasi pas ndarjes së tyre një pjesë e mirë e njerëzve kanë mbetur pa marrë certifikatën e pronësisë. Çfarëdo të bëhet kur ligji të abrogohet, do t’i njihet pronësia e tyre apo jo? Nëse e abrogojmë, si do ta zgjidhë problemin kjo, me gjykata. Mungesa e qeverisë në seancë dhe mosparaqitja e nismës nga Ekzekutivi, por nga partitë, sjell hije dyshimi për mënyrën e ndarjes së tokës. Në momentin kur ka abuzime apo vjedhje shkojnë në burg grabitësit, nuk përjashtohen ata që janë parashikuar nga ligji si përfitues legjitimë të pronësisë mbi tokën përmes këtyre ligjeve”, tha Braçe.Patozi: Toka vazhdon të vidhetKreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, theksoi se “nisma nuk ka të bëjë me fatin e pronësisë së atyre personave që kanë përfituar tokën nga zbatimi i ligjit 7501”. “Ky projektligj nuk synon zhdukjen e efekteve të ligjit 7501. Të gjithë ata që e kanë gëzuar dhe e gëzojnë tokën, do të vazhdojnë ta gëzojnë. Ky është një kapitull i mbyllur. Ato që u thanë për regjistrimin e tokës, nuk është objekt i këtij ligji. Thelbi i ligjit është të ndalet abuzimi dhe grabitja e pronës. Edhe në këto momente që po flasim, të jeni të sigurt se mund të ketë njerëz që po përfitojnë në mënyrë abuzive pronat. Ne po pushojmë së vepruari ligjin dhe nuk po e abrogojmë”, deklaroi Patozi. Ai i bëri thirrje opozitës që t’i bashkohet nismës për shfuqizimin e ligjit 7501 “Për tokën”, si mundësinë e vetme për të frenuar abuzimin me tokën bujqësore.Madhi: Ndalim abuzimit Kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, deklaroi se me pezullimin e ligjit “Për tokën” realizohet abuzimi me ndarjen e tokës bujqësore. “Situata juridike paraqet që çdo fshatar që ka marrë një tokë me ligjin 7501, tashmë ai ka një titull pronësie, e ka të regjistruar dhe asnjë ligj asnjë parlament nuk do të mund të mos merrte në konsideratë apo t’ju hiqte pronësinë këtyre fshatarëve, sepse titujt hiqen me rrugë gjyqësore, ligjore dhe anasjelltas, ky ligj nuk riparon pasojat e ligjit 7501, por ky prevalon situatën tmerrësisht situatën”, tha Madhi. Sipas tij, abuzimet më të mëdha me tokën janë bërë nga komunat, nga drejtuesit e komisionit të tokave. Sipas tij, abuzimi me tokën mund të vazhdojë, por nëse shfuqizohet ligji 7501, nuk do të ketë mbështetje ligjore, pra abuzuesit mund të dënohen për vjedhje të tokës.