Është një nga akset me numrin më të lartë të automjeteve që lëvizin në ditë dhe aksi rrugor nga Vora në Fushë-Krujë, i ndodhur prej vitesh në gjendje të mjerueshme, do ti nënshtrohet së fundmi rikonstruksionit të plotë, që do të zgjasë 45 ditë.


Projekti i rehabilitimit bëhet me ndihmën e Bankës Botërore dhe nga sot do të bllokohet aksi nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri tek kthesa për në Prezë. Ky segment do të jetë i bllokuar për të gjitha mjetet gjate periudhës së kryerjes se punimeve, ndërsa Dogana e Tiranës do të jetë e aksesueshme nga ana e Vorës.


“Punimet kryesore të cilat janë parashikuar gjatë fazës së rehabilitimit të këtij aksi rrugor janë prishja e shtresave ekzistuese asfaltike; zëvendësimi i nënshtresave në çakëll dhe stabilizant; realizimi i të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore dhe e masave të sigurisë rrugore. Devijimi i trafikut do te jete sipas sinjalistikën provizore të vendosur në segmentin ku do të punohet si dhe udhëzimet e policisë”, njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)