Nga Bledi Mane*


 


1. Relaks


Nga ballkoni i shtëpisë së tim vëllai këtu në Rethimno të Kretës ku po pushoj këtë fund gushti, çdo mëngjes (mesditë) kur çohem nga gjumi më shtrihet para syve horizonti ku treten mes tyre ngjyrat blu të këtij pellgu. Bluja e çelur e qiellit teksa puth lehtshëm blunë e detit Mesdhe, pikturojnë magjishëm të dyja eliksirin e parajsës dhe si në pikturat e impresionistit francez Claude Monet, relaksohesh i tëri e mbushesh me energjitë e nevojshme të ditës. Bluja është një nga ngjyrat më të privilegjuara që njerzimi ka zgjedhur të simbolizojë paqen, parajsën, gjumin, shpresën. Qysh nga Iliada e Homerit e simbolizmi i virgjëreshës Mari, bluja mbetet një nga ngjyrat më fisnike dhe misticizmi që i kanë veshur kësaj ngjyre, e bën më mistike dhe më të dashur përdorimin e saj.


Bluja i mungonte Shqipërisë prej dekadash. Të skuqur 46 vjet rresht nga regjimi Bolshevik, askund në vendin tonë nuk kishte mbetur ndonjë hapësirë ku mund të shihje pak blu të paqtë. Me përjashtim të brekëve të Pogradecit që i vishnim të bardha çdo të hënë dhe i zhvishnim të zverdhura çdo të dielë, ne ishim të lyer kokë e këmbë të kuq. Edhe trurin na e kishin shpëlarë në të kuqe dhe pavarësisht se jemi një vend mesdhetar, skuqnim më shumë se Kamboxhia a Laosi së bashku. Mbaj mend gjatë fushatës elektorale të marsit 1992 një poster të paparë të Partisë Demokratike. Mes një lëndine me lule pranvere, një vajzë adoleshente vraponte shkujdesur dhe në sfond një qiell blu i pikturuar si me dorë. Një qiell blu, i cili kur e shikoje të mbushte mushkëritë me oksigjen dhe si të ishte dizajnuar në 3D, posteri dukej sikur të merrte për dore e të çonte pa kuptuar drejt fitores (parajsës) së opozitës së atëhershme.


Bluja na mungonte ne shqiptarëve ashtu si liria, ushqimet e përditshme dhe uji i pijshëm. Bluja mungonte që nga mentaliteti i byroistëve e deri tek tablotë e piktorëve, mungonte që nga fustanet e vajzave e deri te lodrat e fëmijëve. Megjithëse lagemi nga dy dete, bluja ishte e paprekshme nga të gjithë, ishte e ndaluar sikur të na ndillte drejt thellësive të saj, ku po të zhyteshim do të zbulonim se e kuqja që e mbanim edhe në qafë si shall pionieri, po na asfiksonte pak nga pak çdo ditë.


Mentalisht, artistikisht dhe politikisht, bluja çliron ndjesinë e largësisë, distancës dhe prespektivës. E përzgjedhur nga konservatorët si ngjyra simbol e tyre, blunë e përdorin edhe si imponim për tu treguar njerzve se me trashëgimi, merita, punë dhe sakrifica, mundet që një ditë nëpër venat e tua të qarkullojë i famshmi gjak blu dhe veten ta ndjesh si personazh në romanin e famshëm “Helena” të shkrimtares anglo-irlandeze Maria Edgeworth.


Të mahnitur nga bluja qe prekëm me dorë pas viteve ’90, ne shqiptarët u lëshuam si skllevërit e çzinxhirosur dhe ia përpimë nektarin kësaj ngjyre fisnike. Detet i dhjemë me jashtëqitje dhe ndërtimet halabake pa leje, kurorën e gjelbërt pishave ua premë, plehrat i derdhëm mes ujit dhe nga blu, Adriatiku dhe Joni u konvertuan në këneta gjigande malarjesh. Ohrin, Lurën, Prespat, liqenin e Shkodrës, i zvenitëm dhe bashkë me ujërat e zeza, ua tronditëm dhe ritmin e dallgëve me tritolin që vramë peshqit dhe tektonikën shekullore të tyre. Lumenjtë anembanë vendit i shurrosëm si Lana mes Tirane, ndërsa oazeve të Komanit dhe Fierzës mbi Drin ua shpartalluam portat e i lëshuam si kuçedra mbi njerzit tanë, duke ua shkatërruar shtëpi e katandi 3-4 herë në vit.


 


2. Viçidolsi me gjak blu


 


I dëshiruar dhe i frymëzuar do të ketë qenë dhe grafisti i njohur shqiptar, i ndjeri Bujar Marika kur dizajnonte flamurin dhe logon e opozitës së parë shqiptare të vitit 1991. Nuk do ta ketë kursyer talentin dhe fantazinë zoti Marikaj dhe tek ngjyente penelin në bojën blu, mbushej me lirinë e munguar, siç mbusheshin gjithë bashkëatdhetarët e tij. Por, vetëm 3 vjet më pas bluja e flamurit të Partisë Demokratike filloi të ndotej. U bë paksa pis bluja e PD-së, porsi fletoret me njolla vaji të Henri Çilit në shkollën fillore të Labinot Fushës. Në nëntorin e 1994-ës, kur Berisha president kërkonte të kushtetueshmëronte Shqipërinë si Abdulla Salehi i Jemenit, e ndoti atë blunë e paqtë që e adhuronim të gjithë. Në vend të pastronte njollat e para vetëm 24 muaj më pas në maj të 1996, i njëjti president me katrahurën e zgjedhjeve parlamentare volli ndyrshëm mbi atë flamur. Tashmë flamuri simbol antikomunist i së djathtës shqiptare jo vetëm po ndotej, por filloi edhe të grisej me pragluftën civile të 1997-ës. Në shtator të 1998-ës flamurin qe rrinte i turpëruar në opozitë e shpuan me plumbat e Azem Hajdarit dhe nuk e prehën në paqe poshtë varrit, siç e do tradita, por e përplasnin mes dhimbjes dhe turpit në dyert e kryeministrisë, si për ti thënë Fatos Nanos që të largohej disa ditë drejt Maqedonisë sa të qetësohej situata. Edhe kur Ilir Meta ia vidhte votat së djathtës shqiptare me Dushkun e famshëm të 2001, flamuri blu i lodhur e i përçunduar strukej nën sqetullën leshverdhë të ndonjë militanti nga Bathorja e nuk ngrinte krye. I kalbur mes mykut dhe mizerjes së magazinave të PD-së, flamuri (jo Noka) më i parë i lirisë dhe kapitalizmit u valëvit sërish krenar e i bukur në korrikun e 2005-ës. Në duart e KOP-istave të rinj të sjellë si Mesia prej Argitës, flamuri blu udhëhoqi plot hijeshi ashtu siç e endërronim të gjithë, por jo gjatë, deri në mars të 2008. Flaka e Gërdecit e skuqi dhe e përcëlloi, e gjakosi dhe e plagosi, e nuk valëvitet më nëpër beteja krenar si dikur. Qysh atëhere, këtë flamur e përdorin si letër amballazhi për vjedhje dhe vrasje Lul Basha, gardistët republikanë, Namiku a kunetërit e Majlinda Bregut. Me këtë flamur, sa herë që vjen në Tiranë fshin bythën ortodoksi serbo bosnjak Fazlliç, të persekutuarit e vërtetë politikë nuk kanë shans as ta prekin, as ta arrnojnë, ndërsa shokët e Zenit fshijnë qurret sa herë teshtijnë nga ndonjë virus i çuditshëm. Bluja e bukur e dikurshme po i zvenitet dhe njerëz që nuk kanë aspak lidhje me të djathtën fisnike  e shpërdorojnë keqas sa herë që u nevojitet. Këtë flamur më tepër e përdor si facoletë Arben Ristani, si çarçaf e përdor Sashenka dhe Toma, si lines Monika Kryemadhi, si tanga Albana Vokshi,  derisa ta nxjerrin jashtë përdorimit. Bluja nuk është më feksëse dhe verbuese si më 1992-shin, por bajate dhe e pështirë. Kam frikë se ndoshta pas pak kohe, ashtu siç turpëruan dhe përdhunuan blunë dhe flamurin antikominist të së djathtës, do i vërsulen flamurit kombëtar. Do e ndotin, do e grisin, do e dhjesin porsi brekët qe mbante veshur në ’50 në Viçidol aristokrati me gjak blu, Saliu i Ram dhe Sheqere Berishës.


 


*facebook.com/bledi.mane