Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, u shpreh dje në "Opinion" se grupi që ai përfaqëson brenda partisë ka thënë ato çka duhej dhe po presin të reflektohet. "Unë nuk po kërkoj katarsis në PS, por po kërkoj që kjo parti të futet në Parlament. Ka çdo ditë deklarata ndërkombëtarësh që bëjnë thirrje që ajo të hyjë në Parlament", u shpreh Blushi. Sipas tij, PS është futur në një rrugë bojkoti, që nuk premton për mirë. "Po pres që presioni të rritet brenda PS-së", u shpreh Blushi. Partia Socialiste, tha ai, ma ka hequr mundësinë të bëj opozitë. "Më 28 qershor u votova për opozitar, u votova të shkoj në Parlament dhe të bëj opozitarin. Mos prisni të shkoj te kangjellat e Ministrisë së Jashtme e të bëj opozitën. Nuk jam për këtë lloj opozite të improvizuar", u shpreh Blushi. PS, tha ai është bërë si ambulancë që shkon nga njëra derë te tjetra. "Nëse nuk shkon te dera e një ministrie duhet të dalësh te dera e PS e të lexosh një letër që e shkruan Edi Rama. Unë nuk e bëj dot këtë", theksoi Blushi. Herët ose vonë, dikush, tha Blushi, do ta thyejë bojkotin edhe duke marrë përsipër një sakrificë. "Unë do të doja të hyja në Kuvend kur të hyjë Partia Socialiste. Nëse kjo nuk do ndodhë, unë do hyj. Do respektoj një kufi kushtetues të humbjes së mandatit, që mbetet për t‘u interpretuar", u shpreh Blushi. Ai tha se ky mendim është i më shumë se gjysmës së grupit parlamentar të partisë. "Bojkoti i Parlamentit dhe protestat, bojkoti i zgjedhjeve lokale dhe bojkoti i pritshëm i zgjedhjeve të ardhshme lokale është për arsyet e brendshme të PS-së. Këto arsye lidhen me kërkesën tonë që Rama të mbajë përgjegjësi për humbjen. Nëse ne nuk do kishim folur bojkoti nuk do të kishte ndodhur", tha Blushi. Parlamenti, shtoi ai, nuk po bllokohet për të zbardhur zgjedhjet, por që Edi Rama të krijojë një alibi për t‘u shmangur përgjegjësive të humbjes. Në vlerësimin e Blushit bojkoti i Kuvendit dhe hapja e Kuvendit janë dy gjëra të ndryshme. "Nuk mendoj se ka arsye për të më përjashtuar nga partia. Nëse PS ka luksin të përjashtojë një deputet që shkon aty ku është votuar për të shkuar, ky është problem i PS-së. Nëse dikush po pret pas dere që të sakrifikohemi ne për të qenë më mirë, do jetë edhe më keq", tha Blushi.