Ish-trajneri i Anglisë dhe i Barcelonës, Sër Bobi Robson, këshilloi Mançester Sitin që të tentojë të blejë Lionel Mesin. Klubi i Premiershipit po përgatit oferta milionere për disa yje botërore, por legjenda e futbollit britanik mendon se ata duhet të heqin dorë nga gjithçka dhe të përqendrohen vetëm te talenti argjentinas. Robson theksoi se Mesi është lojtari më i mirë në qarkullim dhe se me fondet e pakufizuara të sheikëve, Siti duhet të synojë me të gjitha mënyrat që ta afrojë. "Nëse do të isha unë administratori i Mançester Sitit dhe pronarët do të më jepnin ‘Ok‘ për të afruar lojtarë të rinj, në merkaton e janarit do të blija Leo Mesin", u shpreh Robson për "The Sun". "Ai është lojtari më i mirë në botë dhe janë të pakta klubet që mund ta marrin. Nëse Siti synon të krijojë skuadrën më të mirë në botë, atëherë duhet të marrë lojtarin më të mirë".