Mungesa e të ardhurave në buxhet nga taksat do të zëvendësohet përmes privatizimeve. Qeveria qetëson opinionin publik përmes ministrit të Financave, i cili garanton një situatë të qëndrueshme ekonomike, falë rezervave të krijuara nga privatizimet e ARMO-s, OSSH-së dhe AMC-së. Sipas Ridvan Bodes, qeveria ka para të mjaftueshme në buxhet për të vijuar normalisht investimet e nisura në fillim të vitit. Ministri sqaroi edhe planin për të rishikuar buxhetin 2009, duke e lidhur me faktin se synohet rritja e investimeve në projekte prioritare. Bode kundërshtoi pretendimin se, fushata elektorale është përballuar me fonde të buxhetit dhe se në arkën e shtetit kanë mbetur rreth 8 miliardë lekë të kursyera. Ministria e Financave parashikon se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare do të rritet me 4.8 për qind, kur Fondi Monetar Ndërkombëtar jep një shifër 12 herë më të ulët, prej 0.4 përqindësh. Kreu i Financave pranoi se 7-mujori rezultoi me rënie të të ardhurave, që lidhet më shumë me krizat në tregjet e huaja.



Situata ekonomike



Ministria e Financave konfirmon faktin se, shumë shpejt do të mbërrijë në qeveri një tjetër variant i buxhetit të shtetit, nisur nga situata aktuale ku ndodhen investimet publike. Parashikohen rreth 8 miliardë lekë që do të pozicionohen në projekte të ndryshme, të paplanifikuara më parë. "Që të rialokojë të gjitha ato investime që ende nuk janë përpunuar, fondet e lira, dhe të mundësojë rritjen e investimeve publike, pasi rishikimi i buxhetit do të thotë rritje të investimeve publike", shpjegoi ministri planin për ndryshimin e buxhetit. Sa i takon nivelit në rënie të të ardhurave, ministri sqaroi se, impakti ka qenë minimal dhe se nisma e qeverisë për të rishikuar buxhetin e shtetit nuk bëhet për të ulur investimet publike, por ka një tjetër qëllim: rritjen e tyre. "Rënia e të ardhurave në dogana erdhi për shkak të reduktimit të vlerës së mallit për shkak të krizës ekonomike", tha Bode. Sipas tij, deri në fund të vitit situata ekonomike do të jetë brenda parametrave të planifikuara, pasi një tjetër plan qëndron në objektivat e qeverisë. "Ne kemi në dispozicion të buxhetit të vitit 2009 për t‘u përdorur rreth 90 milionë euro të privatizimit të kompanisë ARMO, pasi nuk i përdorëm dhe i lamë për këtë vit, kemi të ardhurat nga privatizimi i OSSH-së, rreth 102 milionë euro dhe kemi të ardhurat nga privatizimi i aksioneve të AMC-së, rreth 48 milionë euro. Të gjitha këto fonde do të përdoren për financimin e investimeve publike dhe për uljen e borxhit", u shpreh ministri i Financave.





PS, Kodheli:



Ministri i piramidave,



të tregojë të vërtetën!







Reagimi i Partisë Socialiste pas daljes në publik të ministrit të Financave ka qenë tejet i ashpër. Përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli, PS ngriti një sërë shqetësimesh në formë pyetje drejtuar, sipas tyre, "ministrit të piramidave". Kodheli tha para mediave se qeveria po përdor paratë e privatizimeve për të mbuluar shpenzimet e mëdha gjatë fushatës. "Pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhen gati për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke i zhytur çdo ditë e më shumë në borxh familjet shqiptare?", tha zëdhënësja e PS-së, duke ngritur një tjetër pyetje lidhur me faktin nëse është paguar "fatura mbi 60 milionë euro për rrugën e kombit?". Një tjetër akuzë lidhej me firmat e ndërtimit, që sipas PS-së, qeveria nuk u ka paguar paratë për punët e bëra gjatë fushatës. "Apo kjo qeveri s‘ka çfarë paguan më, sepse arka e shtetit është zbrazur përpara dimrit të rëndë që i pret familjet shqiptare, për shkak të shpërdorimeve kolosale të pasurimit të oborrit kryeministror", theksoi Kodheli.