Ka qenë nga të paktët lojtarë që ka luajtur për 90 minuta ndaj San Marinos, megjithatë nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit. Erjon Bogdani ishte një ndër lojtarët më të mirë të Shqipërisë në atë fitore 3-0 ndaj skuadrës modeste, që i dha mundësi Oto Baricit të dilte faqebardhë në debutimin e tij si kuqezi. Për sulmuesin e Sienës, miqësorja ka dhënë frytet e saj dhe përshtatja me trajnerin e ri ka qenë e shpejtë. Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport" pas ndeshjes, bomberi vlerëson provën e skuadrës, ndërsa shpreson të shënojë sa më shumë gola në eliminatoret e Evropianit.
Një fitore 3-0 me San Marinon, si e cilëson Erjon Bogdani këtë miqësore?
Ndonëse luajtëm me San Marinon, ishte një test shumë pozitiv në shumë aspekte. Skuadra luajti mirë, si në pjesën e parë, ashtu edhe në dytën, duke arritur të fitonim me lehtësi. Përfituam nga ky takim dhe grumbullimi dyditor që të njihemi më mirë me trajnerin Oto Baricin. Kjo do të na shërbejë për t'u konsoliduar në prag të ndeshjeve zyrtare të Kampionatit Evropian. Megjithatë, duhet të theksoj se në këtë moment të përgatitjeve edhe gjendja fizike e lojtarëve nuk është në nivelin e duhur, kështu që nuk mund të jepnim maksimumin.
Cilat ishin fjalët e trajnerit Oto Baric, pas përfundimit të miqësores?
Trajneri ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës në fushën e lojës. Në dhomat e zhveshjes, kroati u shpreh pozitivisht për mënyrën taktike se si luajti skuadra dhe pohoi se lojtarët i kishin kryer më së miri detyrat që u kishte ngarkuar. Na tha që në fillim se kishte ndërmend të aktivizonte gjithë lojtarët në pjesën e dytë dhe ashtu ndodhi. U shpreh me nota pozitive për të gjithë lojtarët, duke e cilësuar si një fillim të mbarë. Normalisht kishim vetëm dy ditë që njiheshim dhe nuk ishte e lehtë të kuptoheshim kaq shpejt. Në këto dy ditë, ai ka folur shumë me të gjithë lojtarët për konceptin e lojës dhe mënyrën si duhet të luajë Shqipëria nën drejtimin e tij.
A ju erdhi keq që nuk shënuat gola ndaj një kundërshtari modest si San Marino?
Jo, sinqerisht nuk më erdhi keq. Doja që skuadra të fitonte dhe kësaj ia arritëm, kështu që nuk u merakosa përse nuk shënova gol. Shpresoj që të shënoj në ndeshjet eliminatoret, ku normalisht golat do të ishin më shumë të rëndësishëm. Atëherë do të ishte më mirë që të mos i kurseja golat.
Tani radhën e ka Bjellorusia, si e shikoni këtë sfidë të parë zyrtare të eliminatoreve?
Kemi rreth 15 ditë kohë për t'u përgatitur për këtë takim dhe nuk janë shumë. Është një sfidë e rëndësishme që do të përcaktojë ecurinë tonë në ndeshjet e kampionatit Evropian. Shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv, pasi mundësitë i kemi. Edhe forma e lojtarëve në shtator do të jetë më e mirë, kështu që do të jetë shumë më ndryshe se në miqësoren me San Marinon.
Intervistoi: Fatjon Kodra
* * *
Shifrat e Bogdanit
7 gola
ka shënuar deri më tani Bogdani me bluzën e kombëtares. Gjatë 10 vjetëve që ka luajtur me kombëtaren, ai ka arritur të ngjitet në vendin e gjashtë të golashënuesve të Shqipërisë.
28 ndeshje
ka luajtur sulmuesi shqiptar me bluzën e kombëtares. Debutimi i tij me kuqezinjtë ka ndodhur në 1996 në takimin miqësor ndaj Bosnje-Hercegovinës.
11 gola
ka shënuar Erion Bogdani sezonin e kaluar me Sienën. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi edhe një trigolësh të paharrueshëm gjatë këtij sezoni, në takimin ndaj Palermos.