Zyrtare

Për sezonin e ardhshëm, çezena mund t’u besojë golave të Erjon Bogdanit. Shtatlarti shqiptar, i cili iku nga Kievo si futbollist i lirë pas skadimit të kontratës më 30 qershor të këtij viti, ka firmosur më në fund për klubin bardhezi të Serisë B italiane. Sulmuesi shqiptar ka nënshkruar në orët e vona të mërkurës një kontratë 1-vjeçare, me opsion për ta rinovuar edhe për një tjetër. Lajmi është bërë i ditur nga të gjitha mediat e njohura italiane. Kështu që duket se do të flasë shqip sulmi i çezenës këtë vit, ashtu sikurse ndodhi edhe në 2002/’03, kur në këtë skuadër luante një tjetër sulmues shqiptar, Florian Myrtaj. Drejtuesit e klubit të Serisë B ishin takuar me futbollistin dhe me menaxherin e tij, ku edhe kanë mundur të gjejnë marrëveshjen përfundimtare. Operacioni blic i presidentit Kampedeli dhe i bashkëpunëtorëve të tij është kurorëzuar me sukses, edhe pse Bogdani ishte duke medituar të luante në ndonjë kampionat jashtë Italisë. Ai kishte oferta nga Greqia dhe nga QPR-ja në ligën e dytë angleze. Por propozimi i çezenës duket se ka bindur atë të ndryshonte mendje dhe të zgjidhte për të paktën edhe një sezon futbollin italian, por këtë herë në Serinë A. Po ashtu, një tjetër fakt bindës që ai të nënshkruajë për çezenën është edhe trajneri Masimo Fikadenti, i cili është një njohje e vjetër për të, që në kohën kur luante te Verona: nën drejtimin e këtij tekniku, Bogdani kishte zhvilluar edhe sezonin e tij më të mirë në futbollin italian (në Serinë B) me 17 gola në 38 ndeshje 2004/05. Por sezoni i tij më i mirë në Serinë A ishte ai pasues (2005/’06), te Siena, ku arriti shifrën me dy numra (11 gola). Që atëherë nuk ka shkëlqyer më kurrë si golashënues. Mjafton të mendosh se në dy sezonet e fundit, kur luante për Kievon, ka realizuar në total 3 gola (2 në vitin që sapo u mbyll, 1 në atë të mëparshmin). Dje u është nënshtruar edhe vizitave mjekësore.








#