HENRI ÇILI 

Disa institucione të tillë të demokracisë liberale, si greva e urisë, bojkoti etj., kanë një karakter të theksuar morali. Madje tek morali dhe karakteri i tyre qëndron dhe forca e këtyre instrumenteve të demokracisë. Nuk është ky rasti i bojkotit të fundit që ...opozita e Edi Ramës ka vendosur rreth parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Ai që njihet tashmë si “bojkoti i kushtëzuar” i Parlamentit nuk është gjë tjetër vetëm se një përcaktor për të nxjerrë nga pozita e vështirë këtë akt politik të Partisë Socialiste, por mbi të gjitha kreun e PS-së, Edi Rama. Pikërisht ky, pra bojkoti i kushtëzuar është pika e Arkimedimit mbi të cilën Rama e vendos rifillimin e aksionit të tij politik, atje ku e nisi pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky bojkot tingëllon pa karakter për të paktën dy arsye:
Arsyeja e parë pse ky bojkot është pa karakter, është fakti që ai nuk është një bojkot i vërtetë. Ai është një bojkot i kushtëzuar. Kjo do të thotë se ai thjesht ka simbolikë, por nuk ka përmbajtje, ai nuk është i qartë, por ka nuancë të shpëlarë. Nëse Edi Rama i gjykon zgjedhjet pa standarde, në vend që t’i përgjigjej këtyre zgjedhjeve pa standarde me një bojkot pa standarde, në fakt përdor një formë të bojkotit që edhe është edhe nuk është. Nga njëra anë ai nuk ka argumente të mjaftueshme për një bojkot të plotë përballë shoqërisë shqiptare, ndërkombëtarëve dhe aktorëve lokalë, e nga ana tjetër i duhet patjetër një bojkot, sidoqoftë, i cili të përligjë pikërisht atë vazhdim pa lavdi në krye të PS-së. Nëse Edi Rama është i bindur në atë që thotë, ka prova dhe argumente, ka besim te kauza e vet, ai mund të bëjë fare mirë një bojkot të plotë, mund të bëjë thirrje për të nxjerrë njerëzit në rrugë, për të mos njohur një qeveri të paligjshme, duke mos pranuar asnjë ditë as parlamentit dhe asgjë që del prej tij. Kjo do të ishte e dobishme realisht për shoqërinë shqiptare, një përkrahje e vërtetë dhe reale ndaj këtij bojkoti do të ishte detyrim qytetar, intelektual dhe detyrim politik për të gjithë ata aktorë me arsye të shëndoshë që besojnë tek sistemi tek vlerat e demokracisë. Nëse nuk arrin të bëjë këtë, më mirë të mos bëjë asnjë lloj bojkoti, por të njohë realizmin e procesit të 28 qershorit dhe sistemi të ecë përpara.
Arsyeja e dytë pse bojkoti i Ramës është një veprim politik pa karakter është mosefekti i tij, jashtë gardhit të PS-së dhe mungesa e pasojës që ai prodhon në sistemin demokratik apo pasoja negative që ai ushtron kundrejt Partisë Socialiste dhe mbi të gjitha opozitarizmit në Shqipëri. Një bojkot i paqenë dhe pa themel, më e pakta që mund të thuhet është se ai nuk ka ndikim përtej PS-së. Kush nuk mendon seriozisht se arsyet e tij janë reale politike, dhe aq më shumë del në pah qëllimi i brendshëm i tij për PS-në. Nga ana tjetër, PS-ja duke u vendosur në periferi të sistemit politik, edhe pse ka numrat parlamentarë më të mëdhenj që një opozitë ka patur, e privon veten nga lufta efikase brenda sistemit dhe po ashtu shoqërinë shqiptare nga opozita e vërtetë. Në demokraci, i njëjti institucion me forcë morale në vetvete si bojkoti i drejtë, është po aq nul apo negativ në qoftë se nuk kemi të bëjmë me atë vërtetësi dhe fuqi morali për të cilën ky institucion ekziston. Ndaj bojkoti i kushtëzuar i Ramës është pa karakter.