Nisma e Qeverisë për të aministuar 630 të burgosur me rastin e festave dhe për shkak të mbipopullimit në burgje rrezikon që të dështojë, pasi mazhoranca nuk i ka votat e mjaftueshme për ta votuar në Parlament.


Kushtetua parashikon në nenin 81 të saj se amnistia kërkon shumicën e cilësuar prej dy të tretave që të kalojë në Kuvend. Kjo do të thotë që propozimi i Qeverisë të miratohet duhet të votohet nga 84 deputetë. Por, e vetme PS nuk e ka këtë shumicë të cilësuar dhe në lojë duhet të hyjnë mandatet opozitare.


Për të votuar ligjin e amnistisë, do të duhet që socialistët të arrijnë konsensusin me opozitën ose ti rrëmbejnë asaj 5 deputetë. Konsensusi me opozitën nuk duket i lehtë sepse prej 4 muajsh tashmë, deputetët e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë bojkotuar parlamentin dhe kanë vënë si kusht Vettingun e politikanëve për rikthimin e tyre.


Por kur do të kthehet në Kuvend opozita? Gjasat janë të vogla për momentin, edhe pse shpresat janë të Komisioni i Venecias, i cili më datë 14 dhjetor do të sjellë një përgjigje përfundimtare mbi projektligjin e propozuar nga PD për Vettingun në politikë. Nëse drafti pranohet, opozita dhe mazhporanca do të ulen në Kuvend për të punuar mbi këtë dokument.


Nga ana tjetër, drafti për amnistinë e të burgosurve, parashikon që të përfitojnë të gjithë nga amnistia të gjithë personat të dënuar me burgim deri në tre vjet, për dënimet të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës së mbetur të dënimit. Gjithashtu, amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.


Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ; Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet; Amnistohen personat e dënuara femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç; Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, thuhet në draft.


Të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit,vrasje me paramendim apo me dashje, si dhe ata që kanë kryer vepra penale kundër fëmijëve, martesës ose familjes, si dhe për korrupsion të zyrtarëve nuk përfitojnë nga kjo amnisti.


Gjithashtu është vendosur se nuk do të përfitojnë nga amnistia, as të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve.


2 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)