Më datat 14 dhe 15 maj, në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" në Durrës, do të shfaqet vepra teatrore "Boll! Kështu nuk shtyhet më" e autorit italian Dario Fo. Nën regjinë e Driada Dervishit, kjo vepër trajton situatën politike të zhgënjimeve të mëdha sociale, në formën e satirës së groteskut. Shfaqja është vënë në skenë nga më shumë se 600 teatro e kompani teatrale të huaja. Edhe pse është shkruar 33 vjet më parë, vepra vjen më aktuale se kurrë edhe përballë publikut shqiptar. Në qendër të saj janë dy gra, Antoneta dhe Margarita, e para e papunë dhe e dyta me kohë të pjesshme. Ato mezi ia dalin që të shtyjnë muajin me paratë që marrin. Antoneta gjendet rastësisht në një protestë bashkë me shumë gra të tjera, të ndodhura në të njëjtën situatë si ajo. Pasi shikojnë se çmimet në supermarket janë rritur shumë, atëherë vendosin t‘i marrin ushqimet pa paguar. Antoneta del nga supermarketi e mbushur me ushqime të të gjitha llojeve. Margarita e ndihmon t‘i çojnë në shtëpi. Kur arrijnë aty, i mundon fakti se ku duhet t‘i fshehin, për të mos u përballur me të shoqin, i cili ka besim të plotë te ligji. Kështu gratë gjenden në një seri keqkuptimesh e situatash komike. Vetëm gjatë muajve të fundit, "Boll! Kështu nuk shtyhet më" është rivënë në skena të ndryshme të Evropës, Kinës, Indisë e Japonisë. Për herë të parë, ajo u vu në skenë në vitin 1974, në një teatër të Milanos