Një shpërthim është regjistruar ndaj karvanit të makinave që shoqëronte kryeministrin palestinez Rami Hamdallah dhe të shefit të shërbimeve sekrete, Majed Freij, ndërsa ndodheshin në lartësinë e Beit Hanun, pak pas hyrjes së tij në Rripin e Gazës.


Sipas mediave lokale, kryeministri palestinez dhe shefi i inteligjencës kanë mbetur të plagosur. Presidenca e Autoritetit Kombëtar Palestinez, ka akuzuar Hamasin si përgjegjës të sulmit.


Pas shpërthimit që i ndërpreu rrugën kalimit të makinave palestineze, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri ndaj karvanit që shoqëronte kryeministrin Hamdallah.


Sipas informacioneve të para, mësohet se ka shpërthyer një bombë e vendosur në një kënd të rrugës hyrëse për në Gaza. Policia e Hamasit ka njoftuar se janë plagosur rëndë dy kalimtarë, ndërkohë që pohon se ka arrestuar dy persona të dyshuar për këtë ngjarje.


Pas pesë muajsh mungesë, Hamdallah kishte vendosur të kthehej në Gaza 0 edhe nga presioni i diplomacisë egjiptiane në përpjekje për të rifilluar bisedimet me Hamasin. Ai kishte planifikuar disa vizita, ku mes të tjerash do të takohej me drejtuesit e Hamasit në Gaza Siti.


Pavarësisht nga sulmi, Hamdallah nuk e ka përmbyllur akoma vizitën. Ai shkoi në një qendër të pastrimit të ujit në veri të Gazës dhe imazhet e vizitës së tij janë transmetuar direkt në mediat sociale.


13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)