Disa fshatra në zonën e Dibrës raportohet se janë prej 10 ditësh të bllokuar nga bora, ndërsa rrugët janë të bllokuara. Ndërkohë, probleme paraqiten edhe në qarkun e Elbasanit. Përveç rrugëve të bllokuara, një pjesë e zonave të thella po vuajnë edhe mungesën e energjisë.


Qarku Dibër


Temperaturat gjatë natës në qarkun e Dibrës kanë shënuar -12 gradë, ndërsa trashësia e dëborës është 70 cm. Mësohet se në zonat e thella të këtij qarku bora arrin deri në 2 metra, ndërkohë që rrugët rurale janë të bllokuara. Raportohet se rreth 115 familje në Terrnovë të Madhe dhe Terrnovë të Vogël që prej 10 ditësh janë të bllokuara dhe pa energji. Mes të tjerash bëhet e ditur se aksi nacional Peshkopi-Tiranë në disa segmente kalohet me vështirësi pasi është prezenca e akullit në rrugë.


 


Qarku Elbasan


Në aksin Librazhd-Steblevë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve pasi në vendin e quajtur Shkalla e Lunikut ka akull në trashësi të konsiderueshme. Problem mbeten ende disa akse të rrugëve rurale në fshatrat malorë të Qarkut të Elbasanit ku trashësia e dëborës shkon 30-40 cm. Ndërkohë si rezultat i ngricave gjatë natës së fundit janë dëmtuar disa linja të tensionit të mesëm si dhe ka defekte në disa fidra dhe për pasojë mëngjesin e kësaj të shtune rreth 4900 abonentë në zonat rurale janë pa energji dhe që në orën 07:00. Aktualisht në terren ndodhen punonjësit e OSHEE të cilët po punojnë për riparimin e defekteve.


11 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)