Me fillimin e reshjeve të dëborës përfundon edhe aventura tërheqëse e të ashtuquajturit mbikalimi i Kalimashit, ku mjetet për të udhëtuar në autostradë kalonin majën e malit në një shteg të rrezikshëm. Qindra mjete në ditë e kanë përshkuar shtegun nga njëri skaj i tunelit në tjetrin, në distancën prej 14 km, jo vetëm duke dëmtuar mjetet në një terren me karranxhata, gurë dhe baltë, por duke rrezikuar edhe jetën e pasagjerëve. Vetëm në të rrallë shihej ndonjë mjet që udhëtonte në rrugën e vjetër, pasi edhe vetë pasagjerët preferonin të udhëtonin nga mbikalimi për të shkuar më shkurt dhe më shpejt në Tiranë. Një shofer nga Kukësi, i cili ka udhëtuar dje në rrugën e vjetër, tha se me fillimin e dëborës nuk guxonte të ngjitej më në lartësinë 1200 të mbikalimit. "Në rrugën e vjetër kemi më pak pasagjerë, por kemi frikë të rrezikojmë nga rruga e shkurtër", tha ai. Nga mbikalimi tashmë kalon vetëm ndonjë fuoristradë e fuqishme, e pajisur me zinxhirë, por nëse moti ftohet edhe më shumë, as ato nuk kanë mundësi ta përshkojnë shtegun e bjeshkës, ku askush nuk ka vënë dorë asnjëherë dhe as figuron në hartat rrugore të vendit.



Su.Di.