Për shkrimtarin argjentinas Jorge Luis Borges thuhet se është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, një fenomen letrar që ka lënë gjurmë në tërë letërsinë universale. Ndërsa për letërsinë argjentinase ka një cilësor: letërsia përpara dhe pas Borges-it. Si homazh për këtë përvjetor të tij zgjodha një kuturi të mrekullueshme që ndesha një natë në internet, kur përhumbesha duke vozitur brenda tij, si brenda labirin-teve të Borges-it, ku tërë universi ngjante me një Rrënojë Rrotullare dhe, ku vetë "kuturia" kishte shijen e fiksioneve (trillimeve) të tij. Ja ç‘thotë "kuturia":

"Borges-i kishte internet. Le ta fillojmë këtë logjikë duke thënë se Aleph-i, për shumë vëzhgues, nuk është veçse Web-i, sipas përshkri-mit që i bën personazhi i Carlos Argentino Daneri-t këtij vendi që i jep titullin vetë tregimit të famshëm të Borges-it: Vendin ku ndodhen, pa u ngatërruar me njëri-tjetrin, të gjitha viset e globit, parë nga të gjitha këndet. Më tej, kur rrëfimtari përshkruan eksperiencën e tij si vrojtues i Aleph-it, gjejmë atë që mund të qe dëshmia e një fillestari në Rrjet, i cili, tek mrekullohet, rrëfen me pasion udhëtimin e tij vozitës në Internet: Pashë detin me një mizëri njerëzish, pashë agimin dhe mbrëmjen, pashë turmat e Amerikës, pashë një rrjetë të argjendtë merimange në qendër të një piramide të zezë, pashë një labirint të thyer (ishte Londra)...

Përnjëherë më pas, gjejmë diçka që ka të bëjë me chat-in, a me një shkëmbim e-mail-esh: pashë sy të pafundmë të njëkohshëm që zhbironin vetveten tek unë si në një pasqyrë, pashë të gjitha pasqyrat e planetit, por asnjëra nuk më pasqyroi... Ajo që pason është një përshkrim vendesh, sendesh dhe ndjesish fort të përziera: ...pashë në një oborr në rrugën Soler po ato plloça që kisha parë përpara tridhjetë vjetësh në hajatin e një shtëpie në rrugën Frey Bento-s, pashë vile rrushi, dëborë, duhan, damarë metali, avuj uji, pashë shkretëtira ekuatoriale në formë konvekse dhe çdo kokrrizë rëre që i përbënte, pashë në Inverness një grua që s‘kam për ta harruar kurrë, pashë leshrat e furishme, trupin e hedhur, pashë një kancer në gjoks, pashë një rrotull dheu të tharë mbi një trotuar, atje ku më parë pat qenë një pemë, pashë një vilë në Androgue, një kopje të variantit të parë në anglisht të Plin-it, atë të Phileman Holland-it...

Është fort tunduese ecja në këtë udhë, porse fragmenti i mëposhtëm del e tepron për të thënë që: Vendi ku ndodhen, pa u ngatërruar me njëri-tjetrin, të gjitha viset e globit, i përngjan fort Internetit, në mos është Interneti vetë. Mbi këtë dyshim ngrihet hamendësimi se Borges-i e pat njohur Internetin, ja ngase e kishte në shtëpi, ja ngase e gjeti në bodrumin e Daneri-t. Ka detaje të holla që s‘mund të kalojnë pa u vënë re, siç është ai i asaj gruas që s‘kish për ta harruar kurrë, e cila, siç thotë vetë, e pa në Inverness, qytet i Mbretërisë së Bashkuar, emri i së cilës ngjan shumë me Internet. Po pse nuk e pa gruan, le të themi në Canterbury, Coventry apo Liverpool? Thjesht sepse asnjëri prej tyre nuk i përngjan Internetit.

Libri i Rërës
Por nëse referenca e mësipërme nuk mjafton, ka edhe më. Në Librin e Rërës, që në fillim fare, Borgesi, pa dashur, zë e përcakton sërish internetin për lexuesin, ndonëse, kësaj here, nga pikëpamja matematikore: Vija është e përbërë nga një numër i pafundmë pikash; plani nga një numër i pafundmë vijash; volumi nga një numër i pafundmë planesh; mbivolumi nga një numër i pafundmë volumesh... Nga ky përcaktim, ç‘të jetë tjetër Interneti, përveçse një mbivolum i përbërë nga një numër i pafundmë volumesh? Më tha se libri i tij quhej Libri i Rërës, sepse as libri dhe as rëra nuk kanë fillim e fund, rrëfen më pas. Web-i, njëlloj si rëra, as ai nuk ka fillim e fund. Më pas, shitësi i librit i raporton rrëfimtarit: Numri i faqeve të këtij libri është saktësisht i pafundmë, asnjëra nuk është e para, asnjëra nuk është e fundit... Nëse hapësira është e pafundme, ne gjendemi në një pikë çfarëdo të hapësirës. Nëse koha është e pafundme, ne jemi në një pikë çfarëdo të kohës. Vetëm me një PC të lidhur me Internetin mund të arrinim këtë pikëvrojtimi në hapësirë dhe kohë.

Varësi
Porse ky rrëfim nuk mbetet këtu; efekti që ka Libri i Rërës te protagonisti është njëlloj si varësia që krijon Interneti te disa përdorues. Kisha ende disa miq; nuk i pashë më. Rob i librit, pothuaj nuk dilja fare përjashta... Verës po i vinte fundi kur kuptova se libri qe i përbindshëm. Nuk më shërbeu për asgjë fakti që kuptova se edhe unë vetë isha po aq i përbindshëm, unë që e shikoja atë me sytë e mi dhe e prekja me dhjetë gishtat dhe thonjtë e mi. Ndjeva se ishte një objekt prej ëndrre të ligë, një gjë e turpshme që përdhoste dhe gërryente realitetin. As kritikut më të ashpër të Internetit nuk i ka shkuar në mendje ndonjë frazë që t‘ia kalojë kësaj.Gjer këtu pamë se si Borges-i jo vetëm qe i aftë të përcaktonte internetin, por edhe të përshkruante pasojat e tij te përdorues të dobët. Por ka edhe çudira të tjera, diçka që tregon për origjinën e Internetit. Të paktën këtë përshtypje të jep historia e bibliotekës së Kongresit të botës, projektit delirant të multimilionerit uruguaian Alejandro Glencoe, personazhi i tregimit Kongresi, i cili aty nga fundi i shekullit XIX mendoi të krijonte një lloj qeverie apo këshilli përmbindërkombëtar, që ta drejtonte vetë si president. Ata që e ndihnin në këtë ndërmarrje, vendosën që organizmi të ketë bibliotekën më të mirë të botës, të cilën fillojnë ta krijojnë me tekstet më të epërme të epokës: ...atlaset e Justus Perthes-it dhe enciklopeditë e gjëra dhe të shumëllojta, që nga Historia Naturalis e Plin-it dhe Speculum-i i Beauvais-ë, gjer te labirintet e këndshme të enciklopedistëve të shquar francezë, të Britannica-s, Pierre Larrousse-it, Brockhaus-it, Larsen-it dhe Montaner y Simon-it.

Në këtë pikë, çdo kritikues është në gjendje të thotë: Ky nuk është Interneti, sepse Interneti nuk është vetëm e mira, e sakta dhe kompleksja, por edhe e keqja, e pasakta dhe e vagullta. Por të mos ngutet, sepse edhe kjo e fundit gjendet në bibliotekën e Kongresit të Botës, pasi personazhi i quajtur Twirl, pasi evokon Plin Riakun në fjalët: nuk ka libër sado të keq që të mos ketë diçka të mirë, propozon blerjen e papërjashtimtë të koleksioneve të shtypit, të 3.400 kopjeve të Don Kishotit në formate të ndryshme, të epistolarit të Belmes-it, të tezave universitare, të faturave, të buletineve dhe programeve të teatrove. Gjithçka është dëshmi, paskësh thënë. Për ithtarët dhe mbrojtësit e Internetit, gjithë qelbësirllëqet që mblidhen në faqet dhe sitet e kota, përbëjnë dëshmi.Ka edhe shumë shembuj të tjerë që rrëfejnë se Borges-i kishte Internet, siç është Biblioteka e Babelit, apo sjellja e Funes Kujtesëshumit, porse e mira është që të zbulohen përgjatë eksperiencës së palodhshme të leximit, asaj që i lejoi këtij shkrimtari të shihte përtej kohës së tij".Këtu përfundon "kuturia" që, sidoqoftë, është imagjinuar nga dashuria për Borges-in. Lexuesi shqiptar do ta ketë të lehtë ta shijojë, pasi i njeh fiksionet e tij të përmbledhura në librin Vdekja dhe Busulla. Dhe ndërsa sot nuk është e lehtë të përcaktohet në vlerën e tij të vërtetë Interneti, nuk është e lehtë të njihet mirëfilli e mira dhe dëmi që i sjell njeriut modern, për Jorge Luis Borges-i, edhe pse nuk arriti ta njihte, sërish duket se nuk qe vështirë ta përcaktonte dhe ta ndërtonte shumë kohë përpara se të lindte Internetin, në universin e tij fantastik. /gazeta-shqip/