Qeveria heq dyshimet e opozitës për projektin e Boshtit të Jugut duke bërë të ditur se loti i parë do të nisë brenda këtij viti. Partia Socialiste tha dje në Kuvend se mazhoranca po spekulon me projektin rrugor të Boshtit të Jugut. Deputeti i PS-së, Marko Bello, deklaroi se Boshti i Jugut u premtua nga kjo mazhorancë në fushatën e vitit 2005 dhe tashmë ende s’e ka nisur atë. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, iu përgjigj këtyre deklaratave duke thënë: “Po punohet me projektin dhe brenda vitit nis loti i parë i ndërtimit të kësaj rruge”. Marko Bello tha më tej se nuk janë parashikuar fonde për këtë projekt në buxhet, por Olldashi tha se “në qershor do të ketë një buxhet të dytë”. Sipas ministrit të Transporteve, ky aks rrugor do të lidhë Tiranën, Beratin, Tepelenën dhe Sarandën në një korridor të vetëm, duke bërë të mundur një realitet të ri për banorët e gjithë jugut të vendit.