Në prokurorinë e Milanos, në Itali, ka mbërritur një notë informuese nga prokuroria e Tiranës, në lidhje me çështjen e diplomës së Renzo Bossi-t, i biri i Umberto Bossi-t.



Lajmin e bën të ditur agjencia “ANSA”, sipas të cilës në Milano po hetohet mbi hipotezën që diploma të jetë blerë me paratë e partisë.

Ndërkohë që prokuroria shqiptare, që po heton pistën e saj, ka ndërmend sipas burimit mediatik që të thërrasë në pyetje edhe Renzo Bossi-n.

I biri i liderit radikal të Italisë dyshohet se ka blerë një diplomë nga Universiteti Kristal, në degën e menaxhim-biznesit, pa shkelur as edhe njëherë të vetme në Shqipëri.

Një ditë më parë, prokuroria e Tiranës sekuestroi në universitetin privat një sërë dokumentesh, të cilat do t'i nënshtrohen verifikimeve të plota për të zbardhur rastin e diplomimit.

Rasti i Renzo Bossi-t u denoncua pak ditë më parë nga media italiane, pas hetimeve nga prokuroria e Milanos dhe Napolit mbi partinë Lega Nord.