Kreu i NATO-s paralajmëroi dje Kongresin amerikan për kërcënimin që Rusia paraqet ndaj aleancës. Ai tha se Rusia është bërë më agresive, duke përfshirë shkeljet e saj ndaj Traktatit të Forcave Bërthamore me rreze të mesme veprimi.


“NATO-ja nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. “Por NATO gjithmonë do të ndërmarrë hapat e nevojshme për të garantuar një frenim të besueshëm dhe efektiv, shtoi ai.


“Ne nuk duam ta izolojmë Rusinë. Ne përpiqemi për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Por edhe me një marrëdhënie më të mirë, ne përsëri na duhet të përballemi me një problem të vështirë, tha Stoltenberg.


Stoltenberg e përdori fjalimin e tij edhe për të argumentuar me forcë se NATO-ja është “aleanca më e suksesshme në histori”, edhe pse Presidenti Donald Trump shpesh është shprehur me komente ironike për të.


Anëtarët e Kongresit, të cilët e përshëndetën Stoltenberg me brohoritje të gjata, thanë se e shihnin fjalimin e tij përpara sesionit të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit si një rast për të riafirmuar angazhimin amerikan ndaj aleancës.


Stoltenberg është i pari norvegjez, të cilit i akordohet nderi i rrallë për të mbajtur një fjalim të tillë.


“NATO-ja ka qenë e dobishme për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara, deklaroi ai.