Të tjera rreth shkrimit A1Report, Majmuni Iva parashikim sfidave Brazil 2014, fakte e kuriozitete të veçanta

Nis sot në orën 22:00 në Brazil kampionati i 20 botëror në historinë e futbollit. Nga 12 Qershori deri më 13 Korrik eventi më i madh botëror do të mbajë të mbërthyer përpara ekranit miliarda shikues nga e gjithë bota. 32 ekipe të ndara në 8 grupe do të jenë në garë për të fituar trofeun më prestigjioz. Ndeshjet do të zhvillohen në një orar jo të zakonshëm për Shqipërinë, por kjo nuk do të pengojë shikuesit që të ndjekin ekipet e tyre të zemrës. Ndërsa si në cdo edicionit të botërorit nuk do të mungojnë shqiptarët që do të udhëtojnë në Brazil edhe pse distanca është e largët.

Brazili u bë shteti i pestë që është mikpritës i dyfishtë i një Kupe Bote pas: Meksikës, Italisë, Francës dhe Gjermanisë. Botërori i parë u mbajt në vitin 1930 në Uruguai. 19 kampionatet botërore janë fituar nga 8 skuadra të ndryshme Brazili, Italia, Gjermania, Argjentina, Uruguai, Anglia, Franca dhe Spanja, ndërsa Brazili është skuadra që e ka fituar më shum herë këtë kompeticion, plot 5 herë, teksa është e vetmja skuadër që ka luajtur në çdo turne.

Rekordet për mikpritësit nuk kanë fund, pasi Pele është lojtari që ka fituar më shumë Kampionate Botërore, 3 të tilla. Finalja e madhe e botërorit do të zhvillohet në stadiumin Marakana, i cili mban rekordin e tifozëve në finalen e vitit 1950, me më shumë se 200 mijë. Ky Kampionat Botëror do të promovojë për here të parë teknologjinë në vijën fatale në rastet kur goli është i pasigurt. Turneu i Kupës së Botës transmetohet në afro 200 vende edhe pse asnjë kontinent tjetër përveç Amerikës Latine dhe Europës nuk ka nxjerrë një fitues në kampionatet botërore. Italia është në vend të dytë pas Brazilit përsa i përket numrit të titujve, 4 Kupa Bote. E ndërsa Spanja është kampione në fuqi, Bosnja merr pjesë për herë të parë.

Në botëror nuk do të mungojnë edhe futbollistët shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën, Belgjikën, por edhe Gjermaninë. Protestat e ashpra kanë shtyrë presidenten e Brazilit, Dilma Rusef, që të mos jetë e pranishme në ndeshjen e parë që do të inaugurojë startin e Kupës së Botës mes Brazilit dhe Kroacisë. Presidentja u druhet kontestimeve, siç ndodhi kur kjo e fundit u prezantua në ndeshjen e parë të Kupës së Konfederatave, ku tifozët e shumtë që ishin në stadium përgjatë të gjithë kohës kontestuan numrin një të shtetit brazilian.

Lidhur me këtë çështje ka ndërhyrë dhe trajneri i Kombëtares braziliane, Luis Filipe Skolari, i cili është shprehur: “Publiku na vërshëllen, por kjo nuk do të thotë se ata janë kundër përfaqësueses, por ky është një veprim kundër organizimit të Kupës së Botës”, – tha ai.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)