Ndryshon formula e finaleve të Kampionatit Botëror: jo më 32 ekipe, por me 48. Revolucioni do të ndodhë në vitin 2026, pasi Këshilli i FIFA-s, mëngjesin e së martës ka ratifikuar me unanimitet propozimin e presidentit Gianni Infantino.


Pikërisht mbi këtë format të ri ka folur për mikrofonin e Sky Sport vetë trajneri italo-shqiptar i kuqezinjve, Xhani de Biazi.


Pro apo kundër? Bashkohem me ata që janë në favor, jam me të vegjlit natyrisht. Nëse kemi më shumë mundësi për të arritur në Botëror, nuk mund të bëjmë tjetër, veçse ti buzëqeshim kësaj zgjedhjeje. E kuptoj që mund të merret si donacion e bujari ndaj ndonjë votuesi në veçanti, por në të njëjtën kohë mendoj se është një rast i mirë për të patur mundësinë për të ndryshuar bazën dhe formën. Ndryshimi është sukses, merrni për shembull Europianin e ardhshëm që do të jetë itneresant dhe do të ndryshojë. Kjo, në rastin e Europianit të ri, është një metodë për të zgjeruar kufijtë e futbollit, duke ndarë kostot për çod shtet. Euro 2016 na mësoi se realitete të vogla, si ajo e jona, ose si Uellsi apo Islanda, mund të konkurojnë edhe në nivele të larta, ndonëse pa ndonjë traditë të madhe pas krahëve, u shpreh De Biazi.


Pas Europianit, ëndrra e radhës është ajo e pjesëmarrjes në Botërorin Rusia 2018. De Biazi tregon mbi eksperiencën e tij, edhe në këtë aspekt: Në jetë duhet gjithmonë të punohet dhe të jepet zemra për të kaluar përtej çdo pengese, për të ecur larg vendeve të zakonshme dhe demotivimeve që të thonë se është e pamundur të bësh gjëra të caktuara. Mbase nuk shkon gjithmonë kështu, por e rëndësishme është të provosh dhe mendoj se kjo jep shpresë edhe për federatat e vogla, për të vijuar punën, për tu përmirësuar. Të stërvitësh e të drejtosh një ekip të vogël, të nevojitet një motivim i madh dhe nuk ke peshën e përgjegjësisë që të jep drejtimi i një ekipi elitar. Në të njëjtën kohë besoj se jeta nuk të lejon të mendosh. Duhet që gjithmonë të prodhosh rezultate të reja, rrugëdalje të reja, objektiva dhe dëshirën për tu rritur, pa u ulur dhe krenuar mbi rezultatet e mira.


11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)