Ministri i Financave Arben Ahmetaj është thirrur në interpelancë nga deputeti Erjon Brace, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë lidhur me ligjshmërinë fiskale të FSHF-së. Në fjalën e tij ministri Ahmetaj foli për rezultatet pozitive të qeverisë Rama por duke anashkaluar përgjigjen e drejtpërdrejtë të bërë nga deputeti Braçe. Ky i fundit i kërkoi llogari kreut të Financave se pse persona të caktuar nuk kanë paguar taksa dhe se kanë fituar imunitet fiskal.


“Unë nuk pyeta sesa paguajnë klubet e futbollit, ekipet e futbollit apo lojtarët që luajnë me top në këtë vend. Unë pyeta, prej muajit shkurt në mënyrën më të qartë të mundshme, sa është tatimi mbi të ardhurat personale që paguhet nga FSHF? Dhe së dyti, sa është 10% që i takon buxhetit të shtetit nga e drejta televizive që ka tregtuar FSHF 10 vitet e fundit. Këto ishin dy pyetjet e mia për të cilat nuk mora përgjigje. Ose më saktë për të parën mora një përgjigje që është pjesore dhe që sjell në vëmendje apo më jep të drejtë për arsyen pse e kam thirrur këtë interpelancë.


Në asnjë rast nuk do ta mbyll gojën para individëve dhe institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal qofshin nderi apo llumi i kombit. Përpara ligjit fiskal janë të barabartë dhe kanë detyrime të paguajnë tatime e taksa. Pse u dashka ti jepet imunitet fiskal?! Po bëni detyrën dhe shkoni e trokisni në çdo dyqan, kafene e qebaptore, e mirë bëni por këta të mëdhenjtë kur do të paguajnë. Këta që administrojnë miliona lekë e që dalin e mburren nga mëngjesi në darkë. Duhet të jemi të parët” u shpreh Brace.


11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)