Brahimi u prit nga Ministri i Jashtëm sirian, Walid al Muallim. Takimi u njoftua nga zëdhënësi i ministrisë siriane. Diplomati veteran algjerian mësohet se ka prezantuar planin e tij të ndaljes së luftimeve, të paktën për ditët e festës së Kurban Bajramit.
Plani parashikon ndërprerjen e luftimeve nga data 26 deri në datën 28 tetor, ditët e festës së Kurbanit. Nisma e Brahimit është parashtruar më parë në Ankara dhe Teheran.
Si Turqia, ashtu dhe Irani, pavarësisht ndasive sa i përket Sirisë, e mbështesin këtë plan.
Ndërkohë, nuk dihet qëndrimi i kryengritësve të armatosur për këtë propozim, ndërsa detajet e tij janë ende në fazë konsultimesh mes palëve të interesuara.