Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, akuzoi kryetarin e qeverisë se ka lidhje agjenturore me UDB-në (shërbimi sekret në ish-Jugosllavi) dhe se ka qenë informator i rregullt dhe i vullnetshëm. PD-ja dhe kryeministri i kthejnë krahët Biberajt dhe nuk pranojnë ta shqyrtojnë projektin e propozuar prej tij.
Braho: Ai ka dhënë informacione të forta për Komitetin Qendror, për Sekretarin e Parë, shokun Xhelal Gjoni dhe ka pasur takime informative në disa kryeqytete evropiane me zbulues të huaj.



Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, hedh akuza të rënda ndaj numrit një të qeverisë, Sali Berishës, duke e cilësuar si “informator”. Ai thotë se nga projektligji i spiunëve do ta pësojë gjysma e kabinetit qeveritar dhe vetë kryeministri Sali Berisha, që sipas tij ka pasur lidhje agjenturore me UDB-në. Në një prononcim për “Korrierin”, pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, që diskutonte pikërisht tre projektligjet e dorëzuar nga PD-ja, PS-ja dhe PDK-ja, Braho hedh akuza të rënda ndaj shefit të ekzekutivit shqiptar, që e cilëson si informator. “Ka qenë informator i rregullt e i vullnetshëm. I bënte me qejf, pasi nga njëra anë e shtynte kauza për fitoren e komunizmit në rang botëror, ndërsa nga ana tjetër e shtynin lidhjet agjenturore të UDB-së në Mal të Zi, prej nga ka edhe origjinën e gruas”, - deklaroi Spartak Braho. Ky i fundit shprehet i sigurt që jo vetëm do të duhet të largohet kryeministri nga qeveria, por edhe një pjesë e mirë e Këshillit të Ministrave. Braho shton më tej akuzat ndaj Sali Berishës, duke u shprehur: “Varianti që penalizon gjysmën e Këshillit të Ministrave bie. Kryeministri po. Ai ka dhënë informacione të forta për Komitetin Qendror, për Sekretarin e Parë, shokun Xhelal Gjoni dhe ka pasur takime informative në disa kryeqytete evropiane me zbulues të huaj. Ashtu siç ka pasur takim edhe me Millosheviçin, takime që i ka pranuar edhe vetë”, - thotë deputeti i LSI-së, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndërkaq, ky komision dëgjoi sot relatorët Arben Isaraj (PS) dhe Aldo Bumçi (PD), të caktuar për të shqyrtuar tre propozimet dhe për të hartuar një propozim integral të tyre. Si Bumçi, ashtu edhe Isaraj kishin mjaft kritika për projektligjet. Isaraj u kërkoi të tre propozuesve të tërhiqnin nismat e tyre, çka u kundërshtua nga kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili kërkoi që të miratohej propozimi i tij e të rrëzoheshin ata të PD-së e PS-së. Në krahun tjetër, komisioni nuk pranoi të shqyrtonte që dje propozimin individual të depozituar tashmë nga deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, ndonëse atë e ka ngarkuar për hartimin e ligjit, kryeministri Sali Berisha. Siç tha kreu i komisionit, Fatos Beja, ende ky komision nuk ishte njohur me projektligjin, ndërsa saktësoi se kushdo mund të sjellë propozime, të cilët mund të merren në konsideratë, por projektligjin e integruar mund ta bëjë vetëm Komisioni i Ligjeve. Kundër dëgjimit të Biberajt ishte edhe një tjetër deputet i PD-së, Ramiz Çobaj, që e cilësoi si në kundërshti me procedurat dëgjimin e deputetit Biberaj. Nga ana e opozitës, kjo u pa si një tjetër përplasje e brendshme në PD. Komisioni do të diskutojë sërish në mbledhjen e radhës lidhur me mënyrën sesi do të procedohet më tej, për të përmbushur misionin e hartimit dhe miratimit të këtij projektligji brenda muajit korrik. saqellari@korrieri.com