Brazili dhe Argjentina do të përballen ndërmjet tyre në një takim miqësor tepër të veçantë, që si rrallëherë do të luhet në Arabinë Saudite. Ka statistika të ndryshme në lidhje me këtë duel, megjithatë sipas të dhënave zyrtare të FIFA-s kjo do të jetë ndeshja e 105 në histori ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve.


Si Brazili ashtu edhe Argjentina janë vendosur prej ditësh në Lindjen e Mesme, si për ti paraprirë pikërisht këtij takimi, që këtë herë do të zhvillohet në Jeddah, në Stadiumin Mbreti Abdullah.


Dy vendet kishin pritshmëri shumë të mëdha në botërorin e fundit, megjithatë në Rusi Argjentina u mund pikërisht nga dy përfaqësueset që diskutuan finalen, pra Kroacia dhe Franca, ndërsa pentakampeonët u eliminuan në fazën cerekfinale nga Belgjika, gjithsesi që nga ajo kohë në mungesë të kompeticioneve këto dy përfaqësuese kanë zhvilluar edhe nga tre ndeshje miqësore.


Verdhjeshilët i kanë fituar që tre këto takime pa pësuar as gol, ndaj Shteteve të Bashkuara, Salvadorit dhe Arabisë Saudite, ndërsa përfaqësuesja albiceleste pas dështimit në Kupën e Botës sic dihet shkarkoi trajnerin Jorge Sampaoli, duke ia dhënë celësat e kombëtares ish-mbrojtësit Lionel Scaloni.


Nën drejtimin e tij Argjentina barazoi pa gola në Neëw Jersey me Kolumbinë dhe mposhti pa pësuar dy skuadra kundërshtare si Guatemala dhe Iraku. Bardhekaltërit duken ndryshe dhe ashtu siç pritej nga të gjithë, Scaloni pa humbur kohë freskoi ekipin me lojtarë si Icardi, Dybala apo dhe Lautaro Martinez.


Lionel Messi është tërhequr përkohësisht nga përfaqësuesja dhe askush nuk është në gjendje të thotë me siguri nëse kapiteni do të rikthehet për të kontribuar sërish me fanellën e kombëtares albiceleste, sidoqoftë këtë radhë ka shumë kureshtje për të parë formacionin titullar të kësaj skuadre.


16 muaj më parë në Australi, në një prej stadiumeve më të mëdhenj në glob, në Cricket Ground përpara 96.000 spektatorëve Argjentina me Mesin në fushë fitoi minimalisht 1-0, falë një goli të realizuar nga mbrojtësi i Seviljes Mercado, ndeshje ku gjithsesi Brazili luajti pa yllin e ekipit Neymar.


Këtë herë Tite kërkon të marrë hak, prandaj 57-vjecari pritet ta nisë këtë duel me artilerinë e rëndë, me treshen Neymar-Gabriel Jesus-Richarlison, ndërsa në mesin e fushës verdhjeshilët me shumë gjasa do të rreshtojnë emra si Coutinho, Casemiro dhe Renato Augusto.


Dy ekipet janë përshtatur me klimën dhe pas ndeshjeve respektive në kryeqytetin saudit Riyadh, me Arabinë dhe Irakun, tashmë futbollistët janë zhvendosur në Jeddah, ku ndeshja do të mbahet në një stadium madhështor me kapacitet prej plot 62.000 spektatorësh. Ndeshja do të luhet në orën 20:00 dhe gjithë të apasionuarit natyrisht do të kenë një biletë të veçantë në ekranin e Supersport, ndërkaq përsa i përket statistikave zyrtare të FIFA-s Brazili kryeson bilancin e përgjithshëm të fitoreve 40-38, ndërsa 26 takime kanë përfunduar në barazim.


16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)