Dy ekipet dalin në arenë. Në fushën e një stadiumi që nuk do të jetë më, në “Rasunda”. Topin e parë nga qendra e luan Pele, si atëherë më 1958 kur Brazili i tij fitoi titullin botëror në finalen ndaj Suedisë që përfundoi 5-2.

Edhe në këtë miqësore, me shumë më pak rëndësi sesa përballja e 54 viteve më parë, brazilianët ishin të paprekshëm dhe fituan lehtësisht ndaj vendasve të zbehtë.

Leandro Damiao kaloi miqtë në epërsi në minutën e 32-të pas një krosimi të kryer nga talenti i Santosit, Nejmar. Për vendasit, nuk ishte në fushë lojtari kryesor, Zllatan Ibrahimoviç, që ishte i dëmtuar dhe ata humbën edhe rastet e pakët që arritën të krijonin.

U desh të pritej minuta e 85-të që Brazili të dyfishonte rezultatin dhe të garantonte fitoren. Milanisti Pato përjetoi më në fund pak lumturi kur dërgoi me kokë në portë topin e dhënë nga Dani Alvesh.

Ishte sërish Pato që shënoi golin e tretë, këtë herë në minutën e 87-të me penallti, pas një 11-metërshi që e fitoi po vetë. Brazili arriti të jepte një përgjigje pas kritikave të shumta që i janë bërë dhe ndoshta trajneri Menezes po nis të krijojë skuadrën që i duhet për në Botërorin e vitit 2014.