Kukësi bën goditjen e radhës në merkato. Braziliani Elton Cale u bashkua me skuadrën kryesuese në Antalya aty ku është vënë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka. Ishte pikërisht 28-vjeçari surpriza e madhe e së Mërkurës në seancën stërvitore të pasdites, pasi Cale ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit, duke e forcuar ndjeshëm skuadrën verilindore në repartin e avancuar. Ai mund të luajë në të dyja krahët e mesfushës por edhe prapa dy sulmuesve në pozicionin e trekuartistit. Në kampin kuksian nuk është vetëm afrimi i brazilianit Cale ai që bën bujë por edhe zërat e orëve të fundit për interesimin e Gaziantepspor në adresë të Pero Pejic dhe  Nijaz Lenës. Për të folur në lidhje me këto zëra por edhe për ecurinë e fazës përgatitore dhe objektivat e Kukësit, mesfushori shqiptar i lindur në Maqedoni, Nijaz Lena doli për mikrofonin e Supersport.


Kemi filluar shumë mirë fazën përgatitore. po përgatitemi maksimalisht për kampionatin. Kjo faze do na ndihmoje sepse këtu mund te testohemi me kundërshtarë të fortë. Çështjet e merkatos i takojnë klubit, unë mundohem te jem i përqendruar te puna me skuadrën. Nëse klubi bie dakord dhe mendon se me duhet të lëviz, do te ishte e mirëpritur.


Lena shton më tej se largimi i mundshëm i tij nga skuadra nuk do të ndikonte aspak te ecuria e Kukësit që këtë sezon synon titullin kampion. Gjithsesi, sipas 30-vjeçarit, skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen e radhës.


Çdo ndeshje duhet ta marrim një nga një. Duhet të mendojmë të fitojmë në Shkodër dhe për ne duhet të mendojnë ata që janë poshtë nesh.


Ndërkohë që skuadra vazhdon përgatitjet intensive në Turqi, braziliani Karioka do të bashkohet me grupin në datën 13, ndërsa Sidrit Guri dhe Lukas Rangel do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës deri në fund të sezonit edhe pse fillimisht u mendua që ata do të shkëpusnin marrëdhënien kontraktuale me klubin. Pas miqësores me Istanbul Basaksehir, Kukësi do të përballet të enjten në testin e dytë të Antalyas me azerët e Kairat.


11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)