Zv.drejtori për Sigurinë Publikë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të
Tiranës, Erzen Breçani, është pezulluar nga detyra e tij pas thirrjes që
bëri në Facebook për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.



Hysni Burgaj, drejtori i përgjithshëm i Policisë, e ka pezulluar për 1 muaj Breçanin pas mesazhit të postuar në rrjetin social. Breçani kishte shkruar: “Pershendetje liderit historik te shqipetareve Doktorr Sali Berishes e duam ndihmen tende se jemi mesuar me ty qe te na prish deri sa te largojm pinjollet e komunistave me ne krye edvin ramen ta largojm kete enver te dyte ne qe dikur studenta te 91 shembem diktaturen enveriste do gjejme forc dhe optimizem do te ngrihemi te tere se bashku me rinin qe te mos e leme kete hitler te gjunjezoj shqiptaret”. Vetë zv.drejtori i Policisë së Tiranës ka reaguar ditën e martë duke pranuar që faqja e Facebook-ut ku është postuar ky koment i përket atij, por ka mohuar autorësinë e komentit. Breçani njihet për përplasjet e tij me drejtuesit e opozitës, të fundit edhe gjatë këtyre zgjedhjeve si edhe ishte në qendër të skandalit kur ushtroi dhunë brenda në komisariat mbi operatorin e “Top-Channel” pak muaj më parë. "PS-ja politizon qëndrimet e mia" Erzen Breçani reagoi pas lajmit të pezullimit të tij nga detyra duke theksuar se është “punonjës policie prej 20 vitesh” dhe ka realizuar të gjitha detyrat “me profesionalizëm”. “Kam punuar gjithmonë me përkushtim, por individë të veçantë të PS-së i kanë politizuar qëndrimet e mia. Jam ofenduar dhe provokuar po nga këta persona gjatë gjithë kohës. Zoti Tahiri më ka ofenduar, gjithashtu edhe Fatmir Xhafaj e Sadri Abazi më kanë fyer gjatë punës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, u shpreh Breçani. Më tej ai shtoi se kurrë nuk ka pasur kërcënime nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama: “Me liderin e Partisë Socialiste nuk kam pasur asgjë. Kam pasur një komunikim normal, ashtu si me të gjithë liderët e partive që kanë numrin tim, numër të cilin ia kam dhënë vetë për çdo problem të mundshëm.” / Top Channel