Në zonën e Bregut të Lumit, ka nisur që prej orëve të para të mëngjesit aksioni i policisë me ndihmën e FNSH-së për të ndaluar familjarët e 38 banesave që të protestojnë kundër shembjes së tyre.


Sipas informacioneve të Partisë Demokratike, është arrestuar një numër i madh banorësh dhe nga videot që selia blu ka dërguar shihet se është krijuar një  kordon policor rreth banesave që kanë nisur të shemben.


Policia ka shoqëruar 6 persona, ndërsa 2 të tjerë janë arrestuar pasi qëlluan me gurë drejt policisë. Gjithashtu raportohet se mes të arrestuarve në zonë ka edhe fëmijë.



Policia nuk i ka lejuar gazetarët tu afron banorëve, por edhe ish-deputetët e PD, Aldo Bumçin dhe Klevis Balliun.


Ndërkohë, një përplasje e fortë ka ndodhur midis Policisë dhe banorëve. Mësohet se në mbrojtje të shtëpisë së tyre kanë mbetur të plagosur tre banorë, me 76-vjeçarin Uzur Mandri që ka marrë goditje në kokë dhe shihet në video me fytyrën e mbuluar me gjak.


Sipas ish-deputetes Jorida Takabku aktualisht i plagosuri rëndë ndodhet në sallën e operacionit, ndërkohë që janë lënduar edhe Flora Mandri e Xhabir Boleci. Sipas PD, një nga zonjat është goditur në kokë dhe tjetrës i është thyer këmba.



Ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku bëri thirrje policisë të mos ushtrojë dhunë ndaj nënave dhe fëmijëve si dhe i kërkoi Avokatit të Popullit të ndjekë situatën dhe prokuroria të nisë hetimet.


“Avokati i Popullit të vijë të shikojë situatën, Prokuroria të nisë hetimet për veprimet e Policisë. Banorët nuk po kërkojnë diçka që nuk është e tyre. I bëj thirrje Policisë mos të ushtrojë më dhunë ndaj nënave dhe fëmijëve të tyre. Një 76-vjeçar është goditur në kokë, po operohet në spital” u shpreh ajo.