Verifikimi nis nga telefoni, filmimet dhe pasuria. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, rikonfirmoi vendosmërinë për të hetuar deri në fund ish-ministrin e Mbrojtjes. Ja hapat në të cilët do të kalojë hetimi i dosjes



TIRANË - Një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë votoi pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, konfirmoi se organi i akuzës do të vazhdojë hetimin ndaj Fatmir Mediut, i cili dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre” në lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Pas mbledhjes së Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, në mjediset e hotel “Tirana Internacional”, kryeprokurorja Rama tha se “organi i akuzës do të kryejë hetime edhe ndaj zotit Mediu”. Një fakt i tillë konfirmohet për “Korrierin” edhe nga burime pranë organit qendror të akuzës, të cilët zbardhën edhe hapat e hetimit që do të ndërmerren ndaj kreut të republikanëve. Bëhet me dije se hetimi fillimisht do të përqendrohet mbi tre veprime kryesore, nga të cilët pritet të zbardhet nëse ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kishte realisht lidhje me procesin e demontimit që zhvillohej nga firma e Mihal Delijorgjit në Gërdec të Vorës. Përveç dokumentacionit të sekuestruar tashmë nga prokuroria, nga të cilët ngrihet edhe dyshimi i arsyeshëm se Fatmir Mediu ka lidhje me Gërdecin, hetimi pritet të përqendrohet mbi pasuritë e ish-ministrit të Mbrojtjes, tabulatet telefonike dhe pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen në dikasterin e Mbrojtjes. Hetimi ndaj tij pritet të nisë në ditët në vazhdim, pasi përgjatë ditës së djeshme, rreth 200 prokurorë, mes të cilëve edhe ata të grupit hetimor të çështjes “Gërdeci”, votuan për përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Prokurorisë.

 

Pamjet filmike

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë “Korrierit”, se hetimi ndaj Fatmir Mediut, i cili tashmë është pa imunitet, do të nisë nga institucioni të cilin ai e ka drejtuar për tre vjet me radhë. Fillimisht do të sekuestrohen të gjitha pamjet e marra nga kamerat e sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe veçanërisht ato që ndodhen pranë zyrës së ministrit, për të parë gjithë personat që janë takuar me të, para dhe pas ngjarjes. Një veprim i tillë sipas burimeve pritet të vërtetojë dyshimin për një takim të mundshëm mes Delijorgjit dhe Mediut, edhe pse ky i fundit e ka mohuar kategorikisht të ketë njohje me bosin e firmës që solli tragjedinë e 15 marsit. Gjithashtu, sekuestrimi i pamjeve filmike pritet të plotësojë informacionet që prokuroria ka marrë nga regjistri i shënimeve i sekuestruar në paradhomën e zyrës së ministrit vetëm pak kohë më parë, pasi ka dyshime se në regjistër nuk janë shënuar të gjithë emrat e personave që janë takuar me ish-ministrin e Mbrojtjes.

 

Tabulatet telefonike

Një pjesë tjetër e rëndësishme e procesit hetimor që pritet të nisë në ditët në vazhdim ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes është edhe sekuestrimi i tabulateve telefonike. Pasi të identifikohen të gjithë numrat e telefonave celularë të përdorur nga kreu i republikanëve, prokuroria pritet të dërgojë një kërkesë zyrtare në adresë të dy kompanive celulare që operojnë në vend, për të marrë të gjitha të dhënat për numrat celularë të Mediut. Bëhet fjalë për marrjen dhe verifikimin e bisedave telefonike dhe mesazhet e shkruara të dala nga celulari i Mediut dhe anasjelltas, të cilët ruhen nga kompanitë celulare për një afat të caktuar kohor, që mund të shkojë deri në 6 muaj. Një hap i tillë sipas akuzës, pritet të zbardhë emrat e personave me të cilët ka komunikuar Mediu për ngritjen e fabrikës, për demontimin e predhave në Gërdec, gjithmonë nëse ka pasur komunikime të tilla. Një proces i tillë sipas burimeve të gazetës, pritet të nisë së shpejti, menjëherë pasi të identifikohen numrat celularë dhe të hartohet kërkesa zyrtare.

 

Pasuritë

Verifikimi i aseteve, pronave apo të ardhurave të përfituara nga ish-ministri i Mbrojtjes, është dhe pjesa më e vështirë për t’u verifikuar sipas prokurorisë. Organi i akuzës në këtë aspekt pritet të dërgojë zyrtarisht kërkesa zyrtare për verifikimin e pasurisë së Mediut në bankat e nivelit të dytë dhe Hipotekë, punë e cila shihet me dyshim nga hetuesit. Jo vonesa e përgjigjeve nga bankat dhe Hipoteka, por dyshimet në rezultatet përfundimtare e bëjnë skeptik grupin hetimor. Një dyshim i tillë, sipas burimeve të gazetës, ngrihet në bazë të precedentëve të mëparshëm, kur zyrtarë të ndryshëm nëse kanë vënë asete në mënyrë të jashtëligjshme, i regjistrojnë ato në emrat e familjarëve të tyre. Ky është vetëm një dyshim i ngritur nga organi i akuzës, i cili konfirmon faktin se do të ndjekë të gjithë hapat dhe procedurat ligjore për të hetuar ish-ministrin e Mbrojtjes.

 

Dyshimi

Janë fshirë kamerat e sigurisë

Pa nisur ende nga puna për hetim të drejtpërdrejtë ndaj Fatmir Mediut, prokuroria ka mbledhur informacione se një pjesë e mirë e të dhënave mund të jetë dëmtuar. Ky dyshim fillimisht është përqendruar mbi pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes, tek të cilat sipas prokurorisë mund të ketë pasur ndërhyrje për të eliminuar momente të ndryshme të filmuara nga kamerat “spiune”. Burime pranë organit qendror të akuzës konfirmuan faktin, se nga informacionet e marra rreth kësaj çështjeje ka dyshime se persona të paidentifikuar mund të kenë ndërhyrë në serverin e aparaturës regjistruese me të cilën janë lidhur kamerat e sigurisë që ndodhen rreth godinës së ministrisë dhe në ambientet e saj të brendshëm. Burimet thanë se diçka e tillë është ende në fazën e dyshimeve dhe e bazuar vetëm në informacionet e mbërritura, pasi ende nuk janë sekuestruar pamjet filmike për të bërë ballafaqimet përkatëse. Konkluzionet përfundimtare rreth kësaj çështjeje do të dalin, pasi grupi hetimor të ketë në dorë pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, nga të cilat do të dalë nëse ka pasur ndërhyrje ose jo. Sekuestrimi i këtyre pamjeve filmike, sipas prokurorisë, pritet të ndihmojë grupin hetimor rreth takimeve që ish-ministri i Mbrojtjes ka zhvilluar në zyrën e tij.

 

Regjistri i shënimeve

Miqtë e Mediut në ditët e vështira

Regjistri i shënimeve në paradhomën e zyrës së ministrit të Mbrojtjes është një nga dokumentet që prokuroria sekuestroi pak ditë më parë, në kuadër të hetimit të dosjes “Gërdeci”. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, bëhet me dije se regjistri i shënimeve tashmë u është nënshtruar verifikimeve të imtësishme, nga të cilat kanë dalë dhe rezultatet që kanë befasuar disi grupin hetimor. Në regjistrin që mbahej në paradhomën e ministrit janë gjetur të shënuar emra personash me pozitë dhe status shoqëror të lartë, kjo ndoshta për shkak të pozicionit të ministrit që mbante Fatmir Mediu. Një fakt tjetër i evidentuar në regjistrin e paradhomës së ministrit është dhe shpeshtimi i takimeve pas ngjarjes së 15 marsit në Gërdec. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se përgjatë datave 16, 17 dhe 18 mars është rritur ndjeshëm numri i personave që kanë shkuar në zyrën e Mediut. Sipas akuzës, ka raste që gjatë një dite Fatmir Mediu ka pritur në zyrën e tij më shumë se dy herë të njëjtin person. Të gjitha këto të dhëna po verifikohen në kuadër të hetimit të përgjithshëm të çështjes “Gërdeci”, duke u krahasuar edhe me prova e dokumente të tjera të sekuestruara gjatë kësaj kohe nga grupi hetimor i çështjes.