Diplomatët e akredituar në Tiranë shtojnë presionin ndaj klasës politike dhe qeverisë për miratimin e ligjit që heq imunitetin e zyrtarëve të lartë. Pas ambasadorit amerikan John Withers, një mesazh për heqjen e imunitetit vjen edhe nga ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcilwham. Sipas saj, imunitet duhet të kenë institucionet dhe jo personat e emëruar brenda tyre. "Imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë dhe jo individët brenda tyre. Asnjë nuk duhet të jetë mbi ligjin, aq më tepër nëse nuk ke asgjë për të fshehur nuk ke as frikë. Duhet të punojmë të gjithë për të rritur përgjegjësinë në institucionet publike", tha Mcilwham. Mesazhi i ambasadores britanike në Tiranë, është shumë i qartë dhe i faturohet si përgjegjësi parësore qeverisë dhe klasës politike.



Ambasadorja Fiona Mcilwham bëri apel për heqje të imunitetit për individë të caktuar, pa përmendur emra në veçanti, duke marrë shkas nga një studim i pasurive të zyrtarëve. Duke mëshuar fort tezës se imuniteti duhet të mbrojë institucionet dhe jo individët, ambasadorja Mcilwham tha se "ata që nuk kanë se çfarë fshehin nuk duhet të kenë as frikë nga kjo nismë". Ambasadorja anglezë iu referua edhe progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke risjellë në vëmendje detyrat e shtëpisë që qeveria, politika dhe institucionet kanë për të bërë për të përfituar liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në BE. "Progres-raporti e tha shumë qartë, se korrupsioni mbetet një problem serioz dhe i përhapur për Shqipërinë. Raporti komentoi edhe kapacitetin e administratës dhe në organet e tjera të auditivit, të cilët kanë nevojë për të forcuar në mënyrë të veçantë, sidomos luftën kundër konfliktit të interesit", tha ajo. Ambasadorja Mcilwham tha se Britania do të vazhdojë ta ndihmojë Shqipërinë në përshpejtimin e këtij procesi. "Qeveria dhe institucionet duhet të punojnë fort për të rifituar besimin e opinionit publik në luftën kundër korrupsionit", u shpreh ambasadorja. Mcilwham theksoi se "korrupsioni vazhdon të jetë një problem shqetësues në Shqipëri". Ambasadorja kërkoi që hetimet për korrupsionin duhet të shtrihen edhe mbi vetë sistemin e drejtësisë. Sipas ambasadoren, progres-raporti i Bashkimit Europian ishte i qartë, duke theksuar se korrupsioni është pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE. "Progres-raporti i Komisionit Europian për vitin 2009 përmend disa punë të mira të bëra për luftën kundër korrupsionit nga disa institucione, por veç të tjerash raporti flet edhe për kulturën e pandëshkueshmërisë që dëmton të ardhmen e Shqipërisë dhe aspiratat e saj. Në një takim për gjyqësorin këtë javë, zyrtarë të lartë, përfshi edhe Presidentin, vunë në dukje edhe nevojën për të ndërmarrë reformën në gjyqësor e në veçanti korrupsionin në gjykata", tha Mcilwham. Duke iu referuar deklaratave të kryeprokurores Ina Rama, sipas së cilës gjykatësit në Shqipëri nuk mund të hetohen, pasi kanë imunitet, ambasadorja tha se askush s‘mund të vihet mbi ligjin. "Ne duhet të punojmë për të forcuar llogaridhënien e zyrtarëve publikë këtu në Shqipëri", u shpreh Mcilwham. Ambasadorja i bëri këto deklarata gjatë publikimit të një raporti mbi deklarimin e pasurive të zyrtarëve, nga Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë. Gjatë këtij takimi, ambasadorja britanike komentoi edhe rastin kur deputetët anglezë abuzuan me shpenzimet. Ajo theksoi se media dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar këtë fenomen dhe kërkoi nga qeveria, institucionet dhe media shqiptare të jenë më vigjilente për luftimin e fenomeneve të tilla.