Kryetari i deritanishëm i Komisionit të Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Azem Brovina, të shtunën ka dhënë dorëheqje nga ky post. Brovina dorëheqjen ia ka kumtuar edhe kreut të FFK-së, Fadil Vokrri, nëpërmjet të cilës e ka treguar edhe arsyen e marrjes së këtij vendimi. Brovina ka thënë se deri më tani e ka kryer punën e tij si kryetar i këtij komisioni, duke u bazuar në aktet normative të FFK-së, duke i respektuar ato deri në pikën e fundit.
“Pas ndeshjes kampionale Gjilani-Vëllaznimi nuk janë paguar organet zyrtare (gjyqtarët e vëzhguesi) dhe është rast në të cilin ka pasur shkelje të akteve normative. Me këtë rast janë marrë librezat e futbollistëve të Gjilanit dhe janë sjellë në FFK. Aty dikush ka dhënë urdhër që ato t’i kthehen Gjilanit, për ta zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale të Kupës ndaj Vëllaznimit”, thuhet në letrën e Brovinës dërguar Vokrrit.
“Prandaj, duke marrë parasysh se në këtë rast nuk janë përfillur aktet normative, konsideroj se nuk është respektuar Komisioni i Garave i FFK-së, për të cilën arsye paraqes dorëheqje”, theksohet në fund të shkresës së Brovinës.
Në anën tjetër, sekretari i FFK-së nuk ka dashur ta komentojë këtë dorëheqje, pasi ka thënë se ende nuk është shqyrtuar letra e Azem Brovinës dërguar Fadil Vokrrit, dhe se një gjë e tillë pritet të bëhet të hënën.