• TIRANE – John David Brown, ish-drejtori i qendrës “Fëmijët e tij”, i akuzuar për pedofili akuzoi dje si autorë të marrëdhënieve seksuale me të miturit dy miqtë e tij Robin James Arnold dhe Dino Christodolulo.Deklarata “bombë” u bë nga vetë i pandehuri, i cili duke shfajësuar veten akuzoi dy miqtë e tij, ndërsa i kërkoi gjykatës ndarjen e procedimit për të. Kjo kërkesë e tij u pranua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili pohoi se çështja ndaj greko-anglezit Christodolulo dhe skocezit Arnold do të rihidhej në short për t’iu dorëzuar një gjyqtari tjetër ta shqyrtonte. Kjo për faktin se gjykata angleze e shkallës së parë kanë vendosur për ekstradimin e tyre në Shqipëri ku do t’i nënshtrohen gjykimit. Brown u prangos në maj të vitit 2006 në Tiranë pas denoncimit nga një shtetase holandeze se, në jetimoren që ai drejtonte pedofilë të ndryshëm kryenin marrëdhënie seksuale me të mitur. Pak ditë më vonë u prangos në akuzën e “moskallëzimit të krimit” edhe ish-kuzhinieri i fondacionit, i riu nga Erseka, Janaq Papaleka, çështja për të cilin është ndarë dhe ka mbaruar së shqyrtuari. Për rreth një orë avokatja e Brown pretendoi se klienti i saj megjithëse ishte drejtori i fondacionit bamirës nuk kishte dijeni të abuzimeve të ndodhnin aty, fakt që ky e ka mësuar kur është arrestuar. Sipas saj, argumenti që Brown nuk kishte kryer marrëdhënie homoseksuale me të miturit vërtetohej me impotencën e tij. Edhe vetë Brown në fjalën e tij të përgatitur me shkrim tha të njëjtat gjëra, duke akuzuar dy të bashkëpandehurit me të për të gjitha akuzat. Madje sipas tij, edhe nëse analizoheshin provat e organit të akuzës, atëherë vërtetohej ky pretendim. Gjykata nuk u shpreh për këtë pretendim të të pandehurit, duke thënë se rezervohej për t’u shprehur në vendimin përfundimtar. Tashmë sipas burimeve nga organi i akuzës i kryeqytetit, ekstradimi i dy shtetasve anglezë është çështje ditësh, ndërkohë Gjykata e Tiranës gjatë kësaj kohe do të hedhë në short dosjen në ngarkim të tyre për t’i caktuar një gjyqtar kryesues seance. Ndërkohë në ngarkim të Brown, i cili qëndron në qeli që nga maji i vitit 2006, do të vazhdojë me procedura normale shqyrtimi i provave të paraqitura në ngarkim të tij nga Prokuroria e kryeqytetit.              fa.ma.4 te akuzuarJohn David Brown, ish-drejtori i qendrës “Fëmijët e tij”, dy miqtë e tij Robin James Arnold dhe Dino Christodolulo, si dhe Janaq Papaleka u morën nën akuzë për abuzime me të miturit, që jetonin në fondacionin humanitar.