Mbështetja e invadimit amerikan në Irak nga ana e Britanisë ishte vendimi i drejtë për arsye të drejta, deklaroi sot kryeministri i Britanisë, Gordon Brown, para Komisionit për hetimin e luftës në Irak.



“Ishte ky një vendim i drejtë për arsye të drejta”, theksoi Brown para anëtarëve të Komisionit hetues.



Kur filloi invadimi në Irak, Brown ishte ministër i financave në qeverinë e Tony Blairit dhe ishte përgjegjës për fondet për mbrojtje.



Roli i zotit Gordon Brown në luftën në Irak ka qenë më pak i analizuar se sa ai që ka pasur Tony Blair.



Por shumë familje të ushtarëve të vrarë, e cilësojnë atë përgjegjës për mungesat që ka pasur në pajisjet e ushtarëve.



Një ish sekretar i Mbrojtjes, Geoff Hoon ka sugjeruar se nëse zoti Brown do t'i kishte financuar siç duhet shërbimet e ushtrisë, tani do të kishte pasur më shumë helikopterë që do të operonin në Afganistan.



Dhe me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Britani, akuzat për financime të pakta paraqesin një problem serioz politik për Brownin.