Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, takon në Bruksel diplomatët perëndimorë, mes të cilëve dhe sekretaren e Shtetit amerikan, Kondoliza Rajs. Basha mori pjesë dje në Takimin e Jashtëzakonshëm të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, zhvilluar në selinë e NATO-s në Bruksel mbi situatën në Gjeorgji. Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel ministrash të Jashtëm, ku u ftuan të marrin pjesë Shqipëria dhe Kroacia. Pjesëmarrja e Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë mbledhje të Ministrave të Jashtëm të NATO-s erdhi pas firmosjes së protokolleve të anëtarësimit nga 26 vendet anëtare të NATO-s më 9 korrik në Bruksel. Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Atlantikut të Veriut, ministri Basha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë. Duke vlerësuar lart marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Presidentit Sarkozi, ministrit të Jashtëm, Kushner dhe sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs, ministri Basha theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të tërheqjes së menjëhershme të forcave ruse nga pozicionet e okupuara gjatë 11 ditëve të kaluara. Ministri Basha mbështeti gjithashtu propozimet për ndihmë të menjëhershme dhe asistencë humanitare, si dhe planet për rindërtimin e infrastrukturës civile të dëmtuar rëndë gjatë konfliktit. Gjithashtu, Shqipëria, - tha ministri Basha, - mbështet plotësisht instrumentin e bashkëpunimit NATO-Gjeorgji dhe përkushtimin e NATO-s për anëtarësimin e plotë të Gjeorgjisë në Aleancë. Gjatë Mbledhjes së Ministrave të Jashtëm, ministri Basha u takua dhe bisedoi me sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs, ministrin e Jashtëm britanik, David Miliband, ministrin e Jashtëm francez, Bernard Kushner, ministrin e Jashtëm holandez, Maksim Verhagen, ministrin e Jashtëm italian, Franco Fratinin, ministrin e Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ministrin e Jashtëm turk, Ali Babacan dhe shumë kolegë të tjerë të pranishëm në mbledhje. Ministrat e Jashtëm të NATO-s konfirmuan mbështetjen e tyre të plotë dhe të gjithanshme për një proces të shpejtë të ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.


Scheffer: Kosova dhe Estonia, jo raste të njëjta


Diplomacia perëndimore nuk gjen asnjë krahasim mes Kosovës dhe Osetisë. Këtë e bëri dje të ditur në Bruksel shefi i NATO-s, Jaap de Scheffer. Sipas tij, nuk ka terren për t’i krahasuar këto dy vende, mbi të gjitha për këtë çështje. Scheffer u pohoi gazetarëve se “personalisht nuk shoh asnjë lidhje”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, tha gjatë konferencës për shtyp se Rusia aktualisht nuk po respekton armëpushimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të pranuar nga Presidenti Dimitri Medvedev. 26 vendet anëtare, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se po i vlerësonin seriozisht pasojat e veprimeve ruse në Gjeorgji. Një tjetër vendim i Aleancës gjatë takimit të sotëm ishte krijimi i komisionit NATO-Gjeorgji, për të forcuar raportet me Tbilisin. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha se ministrat kishin pranuar se Rusia duhet të respektonte armëpushimin e ndërmjetësuar nga Presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Zoti Scheffer shtoi se nuk mund të kishte marrëdhënie normale, pas veprimit ushtarak të Rusisë. Ai shtoi se deri sa Rusia të tërheqë trupat, marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë do të mbeteshin të tensionuara. "Ne u pajtuam gjithashtu se nuk mund të ketë shkëmbime të zakonshme në marrëdhëniet tona me Federatën Ruse". "Fakti që ne zhvilluan këtë takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Veri-Antlantik mendoj se është provë se nuk mund të ketë shkëmbime të zakonshme", - tha shefi i NATO-s. Z. Scheffer tha se nuk mund të shihte se si mund të mblidhej në këtë kohë këshilli NATO-Rusi, por shtoi se linjat e komunikimit nuk duhet të braktiseshin. Ai tha gjithashtu se vendet anëtare kanë pranuar të ngrenë një komision NATO-Gjeorgji, që ka si qëllim të forcojë lidhjet mes Aleancës dhe Tbilisit. Por sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk tha asgjë lidhur me një afat për anëtarësimin e Gjeorgjisë. Përpara takimit, ambasadori rus në NATO, Dimitri Rogozin, paralajmëroi se vendimi që do të merrte NATO për Gjeorgjinë mund të ndikojë marrëdhëniet në të ardhmen me Rusinë.





Komision i përhershëm NATO-Gjeorgji


Ministrat e Jashtëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s ranë dakord dje për ngritjen e një komisioni të përhershëm NATO- Gjeorgji. Një komision i ngjashëm ka ekzistuar deri tani vetëm me Rusinë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, i kërkoi edhe njëherë Rusisë të tërheqë të gjitha trupat nga brendësia e territorit gjeorgjian. Çështja që shtrohet është që situata shumë e paqëndrueshme në Gjeorgji të shndërrohet në një armëpushim të vazhdueshëm, tha Shtajnmajeri. Njëkohësisht ai paralajmëroi për rrezikun e shkëputjes së fillit të bisedimeve me Moskën. Gjermania e dyfishoi në 2 milionë euro ndihmën financiare për furnizimin e rreth 160 mijë refugjatëve në Kaukaz. Sipas të dhënave të të dërguarit të Rusisë pranë NATO-s, Dimitri Rogosin, trupat ruse tani po tërhiqen gradualisht. Korrespondentët raportojnë nga rajoni se tanke dhe automjete të blinduara po tërhiqen nga qyteti me rëndësi strategjike, Gori.