Gjatë vizitës në Bruksel, Ministri i Brendshëm shqiptar u takuan edhe me anëtarët e Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Gianni Pitella.


Europarlamentari Eduard Kukan u shpreh gjatë takimit se për arritjet e Shqipërise ka vlerësime pozitive në Bruksel.


Po përpiqemi për çeljen e negociatave. Reformat e nisura duhet të vazhdojnë, tha Kukan.


Ai shtoi në bashkëbisedimin me ministrin e Brendshëm Xhafaj se ekziston një atmosferë e mirë brenda institucioneve të BE-së në Bruksel, dhe Shqipëria ka bërë progres.


Zoti Kukan nënvizoi se kanë nisur shumë procese që duhet të përfundojnë e në këtë kontekst Ministria e Brendshme ka rol kryesor.



Siç e kam thënë shpesh, BE do të ndihmojë, por ju jeni ata që do ta kryeni procesin, tha Kukan.


Ministri Xhafaj e falënderoi eurodeputetin për ndihmën e dhënë për reformën në drejtësi dhe theksoi se implementimi mbetet një proces shumë i rëndësishëm.


Në takimin me eurodeputetin Gianni Pitella, zoti Xhafaj prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të Ministrisë së Brendshme.


Xhafaj kërkoi nga BE-ja të ndjekë procesin e implementimit të reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo reformë mund të jetë shembull për rajonin.


Ministri informoi deputetët e PE-së mbi rezultatet e vitit 2017 në luftën antikanabis dhe i njohu me detaje të përgjithshme nga Plani i Veprimit kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale/Operacioni Forca e Ligjit.


Ministri nënvizoi se duke pasur parasysh progresin e bërë, qeveria pret që viti 2018 të jetë vendimtar për rrugëtimin evropian të vendit. Ministri theksoi se vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit janë të palëkundur.


7 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)