Tension në dhomat e zhveshjes së Juventusit pas humbjes me Napolin në Torino. Mësohet se portieri dhe kapiteni i skuadrës, Gigi Buffon, i fundit që la fushën pasi përgëzoi kundërshtarët për fitoren, u ka ngritur zërin shokëve të skuadrës.


Qëndrimi i Buffon nuk është pritur mirë nga një pjesë e lojtarëve, veçanërisht nga mbrojtësi Benatia, që rezulton përgjegjësi kryesor në dinamikën e golit të shënuar nga Koulibaly.


Juventusi po përjeton një situatë të vështirë, që nisi me eliminimin nga Reali i Madridit në çerekfinale të Championsit, për të vijuar më pas me grumbullimin e vetëm katër pikëve në tre takimet e fundit në Serinë A.


Një ecuri që nuk përshtatet me ambiciet e bardhezinjve. Pas fitores 3-0 me Sampdorian erdhi barazimi i papritur 1-1 në fushën e Crotones dhe humbja në minutën e fundit të kohës së rregullt me rivalët për titullin e Serisë A.


Pikërisht kjo situatë e ka shtyrë Buffonin të kërkojë llogari, pasi nuk ka ndërmend ti thotë lamtumirë futbollit të luajtur duke i humbur trofetë njëri pas tjetrit. 40-vjeçari ka dashur ta shkundë dhe karikojë grupin para nisjes së përgatitjeve për një tjetër përballje shumë të rëndësishme me Interin në San Siro.


Nuk është hera e parë që Buffon bën të fortin në momentet delikate, duke marrë menjëherë përgjigjen e duhur në fushë nga shokët e ekipit.


24 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)