Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda dekoroi me Urdhrin Kryqi kalorsiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të shtetit, Bujar Leskaj.


Ceremonia u zhvillua në datën 19 prill 2017 në Varshavë, në ambientet e Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Polonisë (NIK). 


Për autoritetet polake, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të konsiderohet padyshim si një mik i Polonisë dhe promovues i kulturës polake. Zoti Leskaj që në filim të mandatit të tij si Kryetar i KLSH-së ka mbështetur dhe ka qenë promotor i bashkëpunimit mes dy institucioneve supreme të Auditimit. Ky bashkëpunim ka qenë i frytshëm në drejtim të forcimit të kapaciteteve të audituesve dhe vecanërisht në drejtim të mbështetjes që institucionet i kanë dhënë njëri tjetrit në komunitetin e INTOSAI-t dhe të EUROSAI-t. Edhe në të shkuarën, në cilësinë e Ministrit të Kulturës të Shqipërisë, Z.Bujar Leskaj ka promovuar kulturën polake në Shqipëri.Kryetari Leskaj ka mbështetur iniciativa për njohjen në Shqipëri të letërsisë, artit dhe muzikës klasike të Polonisë si dhe të historisë dhe traditës së kulturës polake, përmes botimeve dhe artikujve në shtypin dhe mediat shqiptare, theksoi Sekretari i Shtetit pranë Presidentit Andrzej Dera.


Nga ana  e tij, Bujar Leskaj falenderoi Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda  per akordimin e medaljes, Presidentin dhe drejtuesit e NIK për mbështetjen si dhe përfaqësuesit e institucioneve polake për këtë vlerësim. Gjatë fjalës së tij, Leskaj evidentoi historinë e popullit polak, përpjekjet e tij për liri dhe vlerat e përbashkëta mes kombit polak dhe shqiptar, si dashuria për atdheun, lirinë, demokracinë dhe mikëpritjen.


Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë Ministri i Shtetit, pranë Presidentit Andrzej Dera, zv/Ministri i Punëve të Jashtme, zj.Renata Szczech, Presidenti i NIK-ut polak, Krzysztof  Kwiatkowski, zv/Presidenti i NIK, Wojciech Kutyla, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, zj.Shpresa Kureta, deputetë të Kuvendit të Republikës së Polonisë, drejtues dhe auditues të NIK-ut polak dhe  përfaqësues të KLSH. Dekorata akorduar nga Presidenti i Republikës, Andrzej Duda iu dorëzua Leskaj nga Sekretari i Shtetit, pranë Presidentit Andrzej Dera.


 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter