Flasin vizitorë të thjeshtë apo ish- të internuar e të burgosur që gjejnë në listat e të ekzekutuarve 1, 3 apo edhe 10 persona të afërm. Ja si e komentojnë disa ekspozitën dhe situatën: Ohhhhhh, këto janë gjëra që dihen. Kanë kaluar njëzet vjet dhe nuk kanë dëmshpërblyer. Ish- të përndjekurit jetojnë njëlloj si në diktaturë







Mbi kolonat zanore dhe zhurmat e Ekspozitës "Nderim viktimave të sistemit komunist", ngrihet një him muzikor, "Kështu foli Zarathustra" i Rikard Shtrausit dhe një zë që përsërit: "Në emër të popullit". Sfondi është i zi, ashtu si fotot, pamjet filmike dhe turma e njerëzve po ashtu, e zezë.





Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ai që pati kërkuar që kjo punë të kryhej brenda 20 shkurtit, përshëndet të pranishmit dhe thotë se "kjo ekspozitë sjell disa grimca të shkëputura të kalvarit të tmerrshëm të vuajtjes, dhimbjes, lotëve, persekutimeve, ekzekutimeve me gjyq dhe pa gjyq, internimeve familjare dhe kolektive të mijëra shqiptarëve.





Vuajtjet dhe ekzekutimet që ky regjim ushtroi për 46 vjet, janë shumë më të mëdha se sa të gjithë vendeve sovjetike të marra së bashku" tha Berisha. "Jo rastësisht kemi zgjedhur 20 shkurtin për hapjen e kësaj ekspozite.





Kjo është dita e ngadhnjimit të gjithë atyre që kanë vuajtur gjatë regjimit komunist". Më tej 20 shkurtin kryeministri e cilësoi si një kurorëzim të fitores së tyre jo mbi statujat e bronzit, por mbi statujat e gjalla.





Parada e politikanëve rrotull ekspozitës në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, u la vendin njerëzve, ishin jo pak që për gati dy orë kanë ndjekur me vëmendje atë që paraqitej në muret e hollit të Muzeut.





Ekspozita e kuruar nga Rubens Shima i cili ka pasur në dorë një lëndë jo fort të pasur meriton të lavdërohet. Në dallim nga "Pavijoni i genocidit komunist" që prej disa vitesh qëndron si ekspozitë e përhershme në Muzeun Historik Kombëtar, kjo që u hap dje po në MHK edhe pse e realizuar në një kohë të shkurtër ka një dinamikë dhe densitet të informacionit që lë mbresë.





Ka një pëqëndrim të ngjarjeve në fare pak hapësirë, ka një ekuilibër që pavijoni i mëparshëm nuk e kishte, një asnjanësi në hapësirën që i lihet një grupi të ekzekutuarish apo një tjetri, qoftë hapësira kushtuar persekutimit të klerit, qoftë ajo për grupin e deputetëve. Ka një anonimat në dhjetëra fotot pa emra, zgjedhje e grupit të punës të historianëve, anonimat që e dendëson hijen e dhunës.





Ministri i Kulturës, Ylli Pango, gjatë fjalës së hapjes theksoi se gjithë organizatorët janë përpjekur të japin në mënyrë kronologjike tmerrin komunist. Fillimisht kryengritja antikomuniste e Postribës e cilësuar si "e para kryengritje antikomuniste në Evropën Lindore", foto të burgjeve, qelive, kampeve të punës (disa prej tyre ilustrojnë këtë shkrim) në Spaç, Burrel, Tiranë...





Rrethi i ekspozimit mbyllet me fotot e të vrarëve në përpjekje për të kaluar kufirin në vitin 1990-1991, të cilat kanë përbri dokumentin e firmosur nga presidenti Ramiz Alia, sipas të cilit kalimi i kufirit dënohej me punë të detyruar ose me pak vjet heqje lirie. Por faktet tregonin të kundërtën: Në Shqipëri ekzekutoheshe nëse rojat kufitare shquanin kaluesa në arrati në kufi.





Këto janë foto që ekspozohen për herë të parë. Po ashtu edhe seria e fotove nga ata mijëra që kalonin në hetuesi. Janë paraqitur me dy fotografi, një në pamje ballore dhe një në profil, por asnjë prej tyre nuk shoqërohet me emër.





Këtë kuratori Rubens Shima e shpjegon me mungesën e informacioneve për të gjithë të akuzuarit. Dosjet e këtyre personave janë shpëtuar nga brumatriçja e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila përpiu dhe asgjësoi në fazën e parë të pasnëntëdhjetës dosjet dhe dokumentacione me vlerë.





Në mes të këtij anonimati personash, Shima përmend figura të ndritura të kulturës si Mitrush Kuteli, Jusuf Vrioni apo Selman Riza. Përballë tyre është një listë e gjatë, që përmban emrat e të gjithë atyre që u persekutuan dhe vdiqën në burgje.





Një hapësirë më e vogël është ruajtur për personat që u dënuan nga gjyqet popullore. Fotografi të të akuzuarve teksa mbrohen apo dëgjojnë vendimet e gjyqtarëve.

Nuk mund të mungonin fotot e klerit të përndjekur dhe të ekzekutuar. Priftërinj katolikë dhe ortodokës, dervishë dhe hoxhallarë, janë vendosur në segmentin e parafundit të ekspozitës.





Çdo pjesë e ekspozitë shoqërohet me tekstet shpjeguese të hartuara nga historianë.

Zinxhiri i fotografive ndërpritet nga tre ekrane që transmetojnë kronika dhe dëshmi të kohës. Arrestime, gjyqe, vendime, përndjekje.





Përpara ekranit të madh të vendosur në qendër të hollit, është paraqitur instalacioni i një gardhi me tela gjembi. Një pjesë të tij e ka realizuar me tela të ndryshkur.





Të pakta ishin sendet personale të të burgosurve, një palë pantallona të shqyera, me arna palë-palë; enët e ushqimit të përdorura nga Osman Kazazi; hallka teli me të cilat 14 burra ishin lidhur para pushkatimit më 18 gusht 1949, në qafë të Valmirit në Mirditë, pjesë zinxhiri dhe një dryn, me të cili u lidhën para pushkatimit në vitin 1947, Kostaq Stefa dhe Tajfur Haznedari.





Është ekspozuar edhe një fjalor i vjetër frëngjish-shqip, në kapakun e të cilit Pjetër Arbnori, gjatë periudhës së burgut fshihte dorëshkrime të krijimeve të tij.

Ka nga ata që duke ndjekur me nge stendat thanë: a ishin ambasadorët e huaj, ata që na kërkojnë ligjin e lustracionit?





Ta shohin që ne po i dënojmë krimet, ta shohin që kemi vuajtur. Ndërsa një tjetër komenton ekspozitën dhe situatën: Ohhhhhh, këto janë gjëra që dihen. Kanë kaluar njëzet vjet dhe nuk kanë dëmshpërblyer. Ish të përndjekurit jetojnë njëlloj si në diktaturë. Ja opinionet e disa prej atyre që shihnin ekspozitën.





Qamili, 57 vjeç





Mendoj që është organizuar mirë. Më pëlqejnë shumë këto që po shoh edhe me thënë të drejtën po hyj me mend dhe rrezik dal pa mend.

Gjëra të vogla ka sa të duash, në çdo fshat dhe lagje, por me sa po shoh këtu këta i kanë kapur, pjesën më të madhe. Por historia do t'i tregojë të gjitha nëse do të shkruhet ashtu siç është. Ne nuk kemi lexuar historinë e vërtetë.



Shemsi Sheh Karbunara, 76 vjeç, Tiranë





Kam tre vetë të pushkatuar këtu: Sheh Ibrahim Karbunara, i biri Hysen Sheh Karbunara dhe i nipi Beqir sheh Karbunara. Shehun e kam gjysh, tjetrin vëllain e babait, dhe Beqirin kushëririn e parë të babait.





I mbaj mend fare mirë ngjarjet dhe di edhe kush e ka bërë pushkatimin: Josif Pashko. Hysenin ia çoi të atit. Breshëria e plumbave nuk e kapi dhe sipas ligjeve ndërkombëtare atë që nuk e zë plumbi i togës së pushkatimit i falet jeta. Por Josif Pashko hoqi revolen nga brezi dhe qëlloi mbi të shpëtuarin. Babë e bir ranë mbi trupat e njëri-tjetrit. Të dy mbetën pa varr.





Me familjet e Karbunarave ndodhi që na përzunë nga shtëpitë, na konfiskuan tokën, na çuan në një haur në Lushnjë. Babain, vëllezërit e tij dhe një kushëri të parë i morën në burg. Si familje kemi bërë 123 vjet burg, edhe tre të pushkatuar. Unë kam kaluar 25 vjet në internim, më çuan në Tërbuf të Lushnjës, më 1966.





Fakti që s'janë vendosur emrat nuk më thotë ndonjë gjë, më shumë për ata që s'i njohin, po ne që i njohim... Kam qenë 14 vjeç kur është dënuar gjyshi. Gjyqi është bërë tek Kinema "17 Nëntori". Rrinim atje jashtë kur dilte Eleni Pashko dhe përplaste duart: Kriminelët në litar, kriminelët në litar.





Për çfarë shërben në këtë moment e gjitha kjo? Që ta dijë kombi shqiptar. Ekspozita më pëlqen, ta shohë rinia shqiptare se çfarë është bërë, cilat janë krimet e komunizmit.





Marku, 60 vjeç





Pjetër Llesh Lala, babai im është pushkatuar nga regjimi komunist. Në 5 mars '52 në luftën e Kurbinit ai dhe të tjerë luftuan 48 orë kundër Enver Hoxhës, dhe pas 48 orësh u ekzekutuan nga regjimi i tij.





Për këtë ekspozitë ka menduar shumë mirë qeveria. Mesatarisht, jo e gjitha është e rregullt, do të duhej më shumë për të treguar regjimin komunist. Se ne nuk kemi dalë nga komunizmi. Ne sot gëzojmë shumë pak, kemi vetëm të drejtën e fjalës dhe të drejtën e qeverisjes.





Nuzef Kola, 65 vjeç, Pukë





Për herë të parë jam dënu në Tiranë. Kam qenë sportist, me mundjen. Kam qenë jetim pa babë, pa nënë. Katër orë punojsha në ofiçinë te "21 Dhjetori", katër orë mi paguante komiteti i fiskulturës në Tiranë. Jam arrestu befasisht, duke u gjet kleçka si familje e prekur, ndërsa mbushja moshën 18 vjeç. Jam dënu 14 vjet me dyer të mbyllura se s'kishin akuzë me m'nxjerr para popullit me dyer të hapuna.





Atëherë thashë: pa vra, pa kurvnu, pa shnderu, pa mashtru, si ka mundësi të dënohet njeriu? Duke përgatitë dëshmitarë në rrenë shefi i hetusisë dhe prokurori, kanë pregatitë 11 dëshmitarë gjithsej. Kam ba 14 vjet burg, po nuk di kush m'ka dënu.

Burgun e kam ba në Spaç, në Burrel, në Tiranë, anembanë Shqipnis i lidh me kta atoburgat.





Kam qenë me shumë të burgosur politikë. Janë disa me zor i mbaj mend, si Franc Sokoli që ka ba shumë n'Burrel dhe kur duel, kur e lirun, e helmun. Jam dënu tri herë, kam hy më 8 dhjetor 62 dhe kam dalë më 10 janar 1991. Kam dalë nji herë pas 14 vjetësh, 10 muj i lirë në Pukë, në minierë. Jam arrestu me dy nene pushkatimi. Nuk kishte gja reale për të më kapë me fakte dhe janë detyru me m'dënu me m'mbajt mbrenda me dhjetë vjet me nen agjitacioni.





Krimet që janë qit ktu, dhe që s'kanë dalë as një e qinta, janë krime të agjenturës së Luftës së Dytë. Dhe nuk i ka tana këto faje Enver Hoxha. Ai s'ka ditë se ç'ka është ba dhe ka mbetë veç si kukull, duke ia ba krimet qeveria me shokë, tu sabotu Partin e tij, tu vra edhe komunistat e ndershëm që punin drejt me u xanë vendin.





Kam ba pesë vjet izolim. Tre vjet hetuesi dhe dy vjet, biruca. Tortura ishte: t'lete me dekë uni, te lete n'kambë 15 centimë larg murit dhe të kontrollonte çdo 5 minuta.

Kam pas rrah nji operativ në Laç dhe kushdo qe vinte nga farefisi em i thoshin nuk a ktu.

Se ai operativi jon i vinte t'bugosurit n'tela, i vrite, i torturonte.





Çfarë mendoja atëherë, i izoluar? Me gjetë tre shqiptarë me punu kundër komunizmit.

Presioni ka kenë i vazhdushëm, por detyra ime si shqiptar ka kenë me rezistu deri në fund.





Por kanë kaluar 20 vjet dhe inercia ka vazhdu deri sot. Historinë nuk ua kallxojnë në shkolla fmijve tanë. Më vjen shumë keq, që gjoja ky a pluralizëm.

Jetojmë ma zi se sa në burg. Jetoj më qera. Isha në komisariat punëtor mirëmajtje, ngarkim-shkarkime, më kanë nxjerr prej punet herë nji palë e herë nji tjetër. Sot jam 65 vjeç. Kam grun, pesë fmij, katër djem, nji vajzë. Jam pa strehim.



Anonim, 60 vjeç

Ekspozita në masë 98% është mirë, por mund të kenë lënë përjashta diçka të vogël. Babai me ka vdekur në burg bashkë me dy xhaxhallarë, njërin prej të cilëve s'po e gjej dot këtu.





Topi dekoron protagonistët e 20 shkurtit 1991

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje individë dhe institucione me kontribut të veçantë në rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri. Në ceremoninë në Pallatin e Brigadave iu dorëzua Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë "Medalja e Artë e Shqiponjës" me motivacionin: "Për kontribut të çmuar në Lëvizjen Demokratike dhe veçanërisht, në protestën e qytetarëve të Tiranës të 20 Shkurtit 1991 për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në ndryshimet progresive në vend".

Me "Medaljen e Mirënjohjes", Kryetari i Shtetit dekoroi Qendrën Shqiptare për Reabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës me motivacionin: "Për kontribut të vyer, në reabilitimin e ish të përndjekurve politikë të mbijetuar nga traumat dhe torturat e regjimit komunist, të pjesmarrësve në protestën e 20 shkurtit 1991 dhe mijëra refugjatë kosovarë gjatë krizës humanitare të Kosovës".

Ndërkohë që me motivacionin: "Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar, si pjestar aktiv i protestës së popullit të Tiranës, të 20 shkurtit 1991, për përbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në Lëvizjen Demokratike", Presidenti Topi i akordoi z. Saimir Reshit Maloku "Medaljen e Artë të Shqiponjës".

Me medaljen "Pishtar i Demokracisë" u nderuan Hyget Murat Borova, Lida Dhori Bezhani, Liliana Lame Llapaj, Lindita Muharrem Hamiti, Astrit Gjolek Hatellari, Sanije Ibrahim Vojka, Albert Dino Risilia dhe Vera Hasan Rada me motivacionin: "Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 Shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri".

Me "Medaljen e Mirënjohjes" u dekoruan Ardian Besnik Heta, Xhovalin Nazmi Çokani dhe Hajredin Rauf Fratari me motivacionin: "Për kontributin e dhënë në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri".

Në emër të të dekoruarve përshëndeti Saimir Reshit Maloku, i cili u shpreh "është një nder i madh që ne sot po dekorohemi, ne protagonistët e 20 shkurtit 1991. Kjo gjë po ndodh në të njëjtën orë kur 18 vjet më parë, ne, unë dhe këto protagonistë këtu i bëmë thirrje popullit protestues tek Radiotelevizioni që të marshonim drejt sheshit "Skënderbej" në mënyrë që të rrëzonim monumentin e diktatorit komunist. Ne shpëtuam një gjakderdhje të mundshme që mund të ndodhte atë ditë kur turma protestuese insistonte të shkonte tek blloku qeveritar."

Maloku falënderoi në emër të pjesëmarrësve, të protagonistëve, edhe 40 shoqata, institucione, komunitete fetare, gjithashtu dhe 210 personalitete dhe ish-protestues, të cilët propozuan këto dekorime dhe njëherësh kanë propozuar që kjo ditë të quhet "Dita e rrëzimit të simboleve komuniste" nga qeveria dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist.