BUKURESHT- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se vlerësonte shumë shembullin e qeverisjes së kryeministrit rumun, Victor Ponta, që provoi se kriza ekonomike mund të përballohej.

''Jam absolutisht i lumtur që ndodhem pranë një miku të madh si kryeministri Ponta. Përveç faktit që njihemi me njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë, kryeministri Ponta është njëkohësisht burim frymëzimi për mua përsa i takon edhe qeverisjes së vendit tim. Unë e vlerësoj shumë shembullin e tij. Kryeministri rumun po na provon se kriza ekonomike është e mundur të përballohet duke lehtësuar jetesën e njerëzve në vështirësi ekonomike dhe duke krijuar rritje që mund të forcojë ekonominë e vendit. Në të njëjtën kohë, Rumania mbetet një shembull përsa i takon rrugës që bëri drejt Bashkimit Evropian'', deklaroi Rama.

''Ne kemi shumë për të mësuar nga përvoja rumune dhe jam i lumtur se te qeveria e kryeministrit Ponta ne gjejmë një derë të hapur për marrjen dhe shkëmbimin e kësaj përvoje'', theksoi Rama, në fund të një takimi me homologun e tij rumun.

Rama nënvizoi gjithashtu se ishte i kënaqur që kishte privilegjin të përfaqësonte Shqipërinë si kryeministër i saj në një vit tepër të rëndësishëm dhe në një eveniment të tillë shumëpalësh duke iu referuar samitit të kryeministrave nga Evropa Juglindore dhe Qendrore dhe të Kinës, që u zhvillua në Bukuresht.

(er.nu/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Rama në Bukuresht në takimin e krerëve të qeverive të Europës Qendrore