Selektori Albert Bunjaku e ka zbuluar listën me emrat e njëzet futbollistëve të cilët do t’i ketë në dispozicion për ndeshjen miqësore që përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë më 10 qershor në Suedi ndaj ekipit të këtij vendi, Halmstad.



Për këtë miqësore, Bunjaku ekipin e ka kombinuar me futbollistë që luajnë nëpër liga të ndryshme evropiane (Itali, Suedi, Gjermani, Angli) dhe me lojtarë të tjerë që aktivizohen në Superligën e Kosovës.



Përveç futbollistëve nga Superliga e Kosovës, në mesin e të ftuarve është edhe sulmuesi Valdet Rama, që luan në Bundesligën gjermane me Hannover 96, Shqipon Bektashi që aktivizohet te Freiburg, Etrit Berisha (Kalmar), Anel Raskaj (Halmstad), Shqipron Skeraj (Koblenz).



Kjo ndeshje do të jetë e veçantë për Anel Raskajn e Kujtim Balën. Të dy futbollistët e përfaqësueses së Kosovës më 10 qershor do të luajnë pikërisht kundër klubit të tyre – Halmstad.



Marrë në tërësi, prej këtyre njëzet futbollistëve, shtatë aktivizohen në Superligën e Kosovës, kurse të tjerët nëpër vende të tjera si Suedi, Gjermani, etj, derisa mosha mesatare është 21-22 vjeç.



Sipas Bunjakut, kjo listë vazhdimisht ka pasur ndryshime, sepse disa lojtarë nuk kanë mundur t’i bashkohen ekipit për arsye të ndryshme.



Seleksionuesi kosovar tha se ndeshja ndaj Halmstadit është shumë e rëndësishme për përfaqësuesen e Kosovës, e cila ka nevojë të zhvillojë sa më shumë miqësore të tilla, para pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA.



Për Bunjakun, ndeshja ndaj Halmstadit do të jetë më e vështirë sesa ajo ndaj Shqipërisë B, që qe zhvilluar në Prishtinë më 17 shkurt.



“Ani pse miqësore, kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Do të jetë më vështirë sesa në ndeshjen e fundit ndaj Shqipërisë”, ka thënë Bunjaku në një konferencë për media të mbajtur të dielën në Prishtinë.



Ndeshja ndërmjet Halmstadit dhe Kosovës do të zhvillohet më 10 qershor prej orës 19:00.



Në fakt, ky takim zhvillohet në kuadër të grumbullimit të përfaqësueses së Kosovës që mbahet në shtetin skandinav prej 7 e deri më 14 qershor. Përveç që do ta luajë miqësoren ndaj Halmstadit, ekipi kosovar do të zhvillojë seanca me stërvitje nga më të ndryshmet, futbollistët do të dëgjojnë ligjërata, ndërkohë do të analizohen edhe ndeshje të futbollit, etj.



Halmstad e Kosova nderojnë Idrizajn



Para se të nisë miqësorja ndërmjet Halmstadit dhe përfaqësueses së Kosovës, të dyja ekipet do ta mbajnë një minutë heshtje për ish-reprezentuesin kosovar, 21-vjeçarin Besian Idrizaj, i cili ka ndërruar jetë para pak javësh pas një sulmi që kishte pasur në zemër. I ndjeri kishte qenë në planet e selektorit Albert Bunjaku për ta ftuar në këtë tubim. “Përpos që do ta nderojmë me një minutë heshtje, ne jemi duke u munduar dhe e kemi në plan për të organizuar diçka më të madhe për nder të Besianit, ndonjë ndeshje miqësore, apo diçka të ngjashme”, ka thënë Bunjaku.



Lista e futbollistëve të ftuar



Anel Raskaj, Kujtim Bala (Halmstad), Etrit Berisha (Kalmar), Labinot Kelmendit (Lyckeby), Valdet Rama (Hannover 96), Shqipron Skeraj (Koblenz), Shqipon Bekteshi (Freiburg), Ajet Shehu (Aktualisht pa klub), Liridon Leci (Vllaznia), Guri Bacaj (Albinoleffe), Fisnik Papuqi, Labinot Osmani (Hysi), Roland Duraku (Liria), Behar Maliqi (Prishtina), Kushtrim Mushica (Vëllaznimi), Valmir Bytyqi (Besa), Florent Sejdiu (Trepça), Albinot Rexhepi (Norbi), Arsim Gashi (IFK Marieh) dhe Besart Kalldura (Atvidabrg).