Luciano Moggi është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg. Vendimin e mori Gjykata e Napolit, duke u bazuar në procesin ‘Calciopoli’, ku u nxor përfundimi se ish drejtori i Juventusit ishte fajtor për formimin dhe drejtimin e organizatave kriminale, respektivisht kurdisjen e ndeshjeve dhe blerjen e gjyqtarëve për disa vite rresht në kampionatin italian. Këtij procesi nuk i shpëtuan as zyrtarë të klubeve tjera italiane.

Ka marrë fund të martën mbrëma në Gjykatën e Napolit procesi “Calciopoli”. Ish drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luciano Moggi, është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg.

Ky ishte vendimi i Shkallës së Parë, që shpalli Moggin fajtor për formimin dhe drejtimin e organizatave kriminale. Gjykata e Napolit dënoi me nga 15 muaj burg Claudio Lotiton dhe Diego Della Vallen, i pari president i Lazios, ndërsa i dyti i Fiorentinës. Një vit burg u dha edhe për ish-disenjatorin e gjyqtarëve për skuadrën e Milanit, Leonardo Meani.

Me burgim u dënuan edhe ish-disenjatorët e gjyqtarëve, Bergamo dhe Paireto si dhe gjyqtari De Santis. Bergamo u dënua me 3 vjet e 8 muaj burg, Paireto me 1 vit e 4 muaj burg dhe gjyqtari De Santis me 1 vit e 8 muaj burg.

Ky ishte vendimi i shkallës së parë të një gjykate civile jashtë strukturave të Federatës Italiane të Futbollit. Pritet që ish-drejtuesi i Juventusit dhe të dënuarit e tjerë, të përfshirë në skandalin “Calciopoli”, të apelojnë vendimin.

“Ishte një vendim që ishte shkruar më parë. Është vetëm rundi i parë, do të luftoj ende për veten dhe për ata që janë shkatërruar nga ky proces. Zoti do ma japë forcën, do të mundohem ta demonstroj të kundërtën nga ajo që është thënë. Tash do të bëjmë ankesë me shpresën që të ketë një drejtësi”, deklaroi Moggi.

“Do të mbrohem, për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Jam i zhgënjyer nga gjithçka. Nuk e kuptoj mirë komunikatën e Juventusit, nuk kam qenë vetëm unë pjesë e këtij klubi. Natyrisht, nuk ishte kështu”, vazhdoi Moggi i cili insiston se Juventusi fitonte me meritë, sepse ishte ekipi më i fortë në atë kohë.

Shkalla e Dytë e kësaj gjykate mund t’i reduktojë këto dënime, por jo edhe t’i heqë tërësisht. Moggi me shokë akuzohen për kurdisjen e ndeshjeve dhe blerjen e gjyqtarëve për disa vite rresht në kampionatin italian.

“Calciopoli” shpërtheu në vitin 2006. Në atë kohë strukturat e Federatës italiane vendosën t’i hiqnin dy tituj Juventusit dhe e rrëzuan atë në Serinë B. Titulli i 2006-s i kaloi Interit, ndërsa kampionati i 2005-s u anulua.