Fillimisht ai e mohon përgatitjen nga policia, më pas e cilëson si studim


Drejtori i përgjithshëm e ka kundërshtuar raportin, ku janë bërë edhe sugjerimet për rritjen e pagave


Kreu i Policisë i ka cilësuar abuzive faktet e publikuara nga gazeta Shqip për raportin e pagave, pavarësisht se studimi është kryer nga një grup pune, i miratuar me firmën e vetë Hysni Burgajt. Menjëherë pas publikimit të raportit ka reaguar zyrtarisht policia, por edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili ka tentuar të mohojë faktin se ky raport është përgatitur nga policia. Fillimisht në gazetën Shqip ka ardhur një reagim, ku deklarohej se pagat e policisë janë rritur gjashtë vitet e fundit, ndërkohë që Burgaj nuk i ka argumentuar këto rritje pagash në një prononcim për gazetën. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i pyetur nga gazeta për kundërshtimin e këtij raporti, deklaroi fillimisht se ai raport nuk është përgatitur nga specialistët e policisë, pavarësisht se kanë nënshkruar Policia e Shtetit, Sindikata e Policisë, Misioni PAMECA III dhe Programi ICITAP.


Por, në një përgjigje të dytë, gjatë prononcimit, kreu i Policisë e ka pranuar ekzistencën e raportit, por e ka cilësuar si një studim i kryer nga punonjësit e policisë. Madje, ai është pyetur më tej, nëse e pranonte këtë raport, por ai është shprehur kundër tij, duke deklaruar se e vërteta është që janë rritur pagat e policisë. Madje, për rritjen e tyre i është referuar reagimit të sjellë nga zëdhënësja e tij, Klejda Plangarica. Pagat e policisë kanë pasur rritje të ndryshme, me përqindje të lartë, që nga viti 2006 e deri më sot, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Policisë. Ndërsa i pyetur nëse këto rritje me përqindje janë përllogaritur për pagën bruto, apo pagën neto, pasi në raport deklarohet sesi kanë rënë pagat neto të policisë, Burgaj u shpreh se nuk e di këtë. Megjithatë, gazeta Shqip ka shkruar sesi ka ndryshuar diferenca e pagave të policisë që nga viti 2003 deri në vitin 2011 me 62 për qind më pak. Sipas raportit të përgatitur nga policia, në vitin 2003, pagat e policisë, në raport me pagat e administratës, ishin 1.8 me 1. Ndërsa në vitin 2011, ky raport ka shkuar 1.18 me 1, pra 0.62 ose 62 për qind më pak.


Raporti konfidencial, prej 35 faqesh, i cili tashmë është siguruar ekskluzivisht nga gazeta Shqip, tregon sesi realisht pagat e punonjësve të policisë janë ulur që nga viti 2003 e deri në vitin 2011. Në raportin e përgatitur thuhet shkoqur se paga e policisë nuk i reflekton si duhet përgjegjësitë e pozicionit të punës. Në një institucion të zbatimit të ligjit paga e një pastruesi është më e lartë se paga e një punonjësi të patrullës së përgjithshme në Policinë e Shtetit, apo paga e drejtorit të përgjithshëm në administratën publike që menaxhon në disa raste deri në 5-7 punonjës është e njëjtë ose dhe më e lartë se paga e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili menaxhon 9915 punonjës policie, thuhet në raportin për uljen e pagave. Domosdoshmëria për kryerjen e këtij raporti, të kundërshtuar dje nga Burgaj, por të firmosur në vitin 2011, ka buruar nga analizat e brendshme të policisë, dhe rekomandimeve të misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit, si programi ICITAP dhe plani i veprimit të Misionit PAMECA III, për përmirësimin e pagave të punonjësve të policisë. Ble. Gi.


Burgaj, kundër raportit me firmën e tij burimi: Gazeta Shqip