Sot ajo është një ndërtesë e braktisur. Në heshtjen e saj ka shumë dhimbje. Tragjedi individësh që vuajtën vite të tëra, sepse guxuan të kundërviheshin. Ky është Burgu i Spaçit, i mbetur në kujtesë si simbol i dhunës. Pak muaj më parë, si dëshmi e një kohe të caktuar historike ky kamp apo burg, u shpall monument kulture i kategorisë së parë. Ndërsa tani, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës po mendojnë ta rijetëzojnë. Kanë udhëtuar drejt Spaçit për të marrë të dhënat e fundit që u duhen për hartimin e projektit të restaurimit. "Pas braktisjes në vitet ‘90, kjo godinë ka pësuar shumë dëmtime. Nga Instituti i Monumenteve të Kulturës do të hartohet projekti i restaurimit për ta kthyer pak a shumë në gjendjen në të cilën ka qenë gjatë kohës kur funksiononte si qendër për terrorizimin e patriotëve shqiptarë", shprehet specialisti i IMK-së, Emin Riza. Projekti i restaurimit do të hartohet nga Latif Lazimi, i cili gjatë udhëtimeve të tij në godinën e braktisur është shoqëruar edhe nga persona që kanë jetuar për vite brenda atyre mureve. "Burgu është i braktisur. Pothuajse nuk ka mbetur asgjë nga ambientet ku jetonin në kushte të tmerrshme të burgosurit, nga rrethimet, ambientet ndihmëse apo varreza masive. Do të bëhet maksimumi që çdo gjë që ka mbetur të rifreskohet, të restaurohet, konservohet dhe të shërbejë si vend për pelegrinazh, por edhe si një dokument i rëndësishëm historik për të kaluarën", shprehet Riza. Një ndërmarrje e tillë të kujton raste të ngjashme në botë. Më së pari burgun famëkeq të Auzhvicit në Gjermani. Aty ku dhimbja njerëzore është dokumentuar dhe njerëz nga e gjithë bota udhëtojnë për të parë nga afër "skeletin" e mekanizmit të famshëm vrasës. Kampi i Spaçit është një nga këto vende që do të mbeten në histori. Edhe në mos vizitorët, të parët që udhëtojnë drejt tij, janë të burgosur që mbijetuan apo edhe familjarë të ish-të dënuarve politikë, eshtrat e të cilëve janë tretur diku përtej përroit që kalon aty. Edhe sivjet aty u përkujtua 35-vjetori i revoltës së majit 1973. Emin Riza shprehet se për restauruesit nuk është shumë e vështirë të rindërtojnë pak a shumë imazhin e dikurshëm të këtij burgu. Për më tepër që shkatërrimet janë të vona dhe ekzistojnë dokumente. Në të njëjtën kohë, kujtimet e ish të dënuarve do të ndihmojnë specialistët për detaje të vogla që kanë të bëjnë me ambientet e brendshme, qelitë ku ata rrinin, ndarjen e ambienteve të veçanta. "Gjithçka që përbën vlerë autentike në atë ndërtesë do të ruhet ashtu siç është", shprehet Riza, duke iu referuar edhe detajeve të imëta, siç mund të jenë shkrime të bëra nga të burgosurit nëpër mure. Restaurimi do t‘i hapë rrugën e kthimit të këtij burgu në një muze. Sipas Rizës, kjo është një fazë tjetër që nuk u takon atyre, por do të ishte e natyrshme që në ambientet e tij të kishte objekte e materiale fotografike të ekspozuara. "Do të ketë karakterin e një muzeu. Për vizitorët do të ketë shpjegime të karakterit figurativ, fragmente apo skica që do të tregojnë si ka qenë gjatë kohës që funksiononte si burg, mund të ndërtojmë një pjesë rrethimi me tela me gjemba. Po ashtu, nëse do të ketë materiale fotografike apo të tjera dokumente të lidhura me atë periudhë, do të ekspozohen", thekson ai. Për këtë do të bashkëveprohet me Shoqatën e të Përndjekurve Politikë. Kështu, për kureshtarët, qofshin këta edhe të huaj që mund t‘ia kenë dëgjuar historinë, gjithçka do të jetë më e prekshme. Përmes ekspozimeve, do të krijohet një kuadër më i plotë i jetës që ishin të detyruar të kalonin ata që i qëndruan regjimit komunist. Por ndërkohë, kthimi në muze i kampit apo Burgut të Spaçit, kërkon edhe investim për mbajtjen e tij. Ndoshta një gjë e tillë do të parashikohet nga qeveria, në një kohë kur Kryeministri ka folur për ligjet e "Kujtesës". Sipas Emin Rizës, pas restaurimit, është detyra e pushtetit lokal ku ndodhet monumenti që të kujdeset për mirëmbajtjen e kësaj pasurie kulturore. Ndërsa statusi i muzeut do të shkonte më tej kompetencave të këtij pushteti. Ideja për kthimin në muze të Burgut të Spaçit është hedhur që në kohën kur ministër i Kulturës ishte Bujar Leskaj, ndërkohë që duke gjykuar për largësinë dhe mundësinë e vizitorëve për të shkuar deri në Spaç, janë diskutuar edhe variante të tjera siç është Shkodra apo edhe ndonjë burg i Tiranës. Spaçi ishte burgu me punë të detyruar, i ndërtuar më 1968-n. Ndërtimin e tij, Ministria e Punëve të Brendshme e bëri me të burgosur ordinerë, ku u rrethua një sipërfaqe prej dhjetëra hektarësh dhe u hapën galeritë e bakrit dhe piritit (rërë e trashë nga ku del acidi sulfurik). Me përfundimin e burgut, 600 të burgosur politikë i shpërngulën nga kampi me punë të detyruar i Elbasanit për në Spaç. Ishin të shumtë ata që e humbën jetën në atë vend të shkretë, përpara se burgu-minierë të mbyllej në vitin 1990.